U ngazëlleva nga lajmi i mirë i dhënë nga kryeministri jonë sot. Kompania “Shell” (më mirë dega e saj shqiptare “Albania Shell” ose “Shell Albania”) ka zbuluar sasira të pallogaritshme nafte dhe gazi në Shpirag, që do bëjë jo vetëm ne shqiptarët “ta vemë festen mënjanë“, por do shpëtojnë edhe Europën. Më pas dëgjova edhe një intervistë të ministreshës Balluke, që je konfirmoi këtë dhe saktësoi që është zbuluar një arterie shumë e rëndësishme hidrokarburësh mu në rrëzë të Shpiragut.
Unë nuk di nga gjeologjia dhe kërkimet për zona naftë dhe
gazmbajtëse, por kjo puna e arteries më krijoi një përshtypje që nafta lëviz
midis zonave dhe tani që kemi zbuluar këtë arterien kryesore mund t’i “lemë më
të thatë“ jo vetëm fqinjët, por edhe ata të Lindjes së Mesme.
Gjithsesi “hair haber” më të mirë se ky nuk kemi patur që në
kohën e “Celikut shqiptar” dhe të “prodhimit të bukës në vend”. Dhe të mendosh
që këto ishin 46 vjet më parë. (Nuk dihet ende nëse sho Enver kishte vënë
gishtin më parë në këto vendburime dhe tradhëtarët nuk e kishin dëgjuar.)
Por le ta lemë nihilizmin dhe të besojmë kryeministrin, i cili
e bëri këtë deklaratë nga Holanda ku e ka edhe qëndrën kompania e famshme e
hidrokarbureve.
C’do të thotë kjo për Shqipërinë? A do të bëhemi të gjithë
sheikë?
Kjo e fundit është pak si tepër optimiste, se edhe në Arabinë
Saudite nuk janë të gjithë sheikë, por të ardhurat për frymë me siguri që do të
dhjetfishohen. Do ulet kriminaliteti se askush nuk do merret më me trafik
droge. Nuk kemi dëgjuar për ndonjë Mafia Saudite apo të Emirateve të Bashkuara
që kontrollon tregjet e drogës. Do ulet korrupsioni se të gjithë do jenë të
lumtur me pjesën e tyre në pasurinë kombëtare.
Me siguri që e gjithë Myzeqeja do kthehet në komplekse
rafinerish, se nuk ka arsye ta shesim naftën bruto, kur mund të fitojmë më shumë
duke e përpunuar, si dhe punësojmë të gjithë bujqit që nuk shesin dot shalqinët
në kohë vere. Do kthehen pjesa dërmuese e emigrantëve në poste manaxheriale dhe
do punësojmë kurdë, afganë, bangladeshas dhe afrikanë për punët e rënda.
Po për Europën ç’do të thotë kjo?
Europa shpëton përfundimisht nga varësia nga nafta dhe gazi
rus dhe do na lutet që të na bëjë anëtarë të Bashkimit Europian. Këtu ne, si
ballkanas kryeneçë mund të fillojmë të hedhim vickëla dhe të kërkojmë jo vetëm
Camërinë dhe tërë trojet shqiptare të Ballkanit, por edhe fshatrat arbëreshe
dhe arvanitase. Nafta dhe gazi ta japin këtë pozitë në marëdhëniet ndërkombëtare.
Po sikur mos jenë kaq stërmëdha këto vendburimet e
Shpiragut?- do hidhen pasardhësit e Tersit të Pojanit.
… Punë m…! Do ja hedhim prapë fajin Europës, kësaj kurve të
motit!
No comments:
Post a Comment