Jo gjithshka është e zezë për shqiptarët në këtë 6-mujor të parë të vitit 2022. Pas ngritjes së çmimeve, rikthimit të Berishës, luftës në Ukrainë dhe mospranimit në BE, një lajm i mirë vjen nga fusha e studiuesve dhe koleksionistëve.
U gjet portreti i Skënderbeut,
vepër e piktorit të njohur venecian Belini.
Studiuesit dhe koleksionistët shqiptarë janë të sigurt , që
bëhet fjalë për portretin e shumëpërmendur të Belinit të vitit 1467, që
konsiderohej i zhdukur. Portreti tashmë jo vetëm që është në duar koleksionistësh
atdhetarë dhe i konfirmuar si autentik, por është vërtetuar, që Skënderbeu ka
pozuar për Belinin në shkurtin e vitit 1467, pikërisht 11 muaj para se të
dergjej në shtratin e vdekjes. Studiuesit kanë prova se Skënderbeu ka shkuar në
një vizitë të fshehtë me rastin e Karnavaleve në Venecia, i shoqëruar nga
gruaja e tij Donika dhe djali i tij Gjoni, si dhe nga thesarmbajtësi Dhimitër
Frangu. Shoqërues ishin edhe 4-5 roje të gardës së Skënderbeut.
Duhet të jetë bërë një punë kolosale nga studiuesit tanë, se
sot është shumë e vështirë të provosh vizitat e fshehta të Nanos, Metës, Berishës
dhe Ramës në Dubai, Monte Karlo dhe Las Vegas edhe pse ka kaq shumë vrojtues
dhe mjete rregjistrimi.
Qëllimi i vërtetë i vizitës ende nuk është shpallur, por studiuesit sigurojnë
publikun se portreti I Gjergjit është bërë me porosi të Doxhëve dhe Belini i ka
bërë skicat paraprake në studion e tij ndërsa Heroi jonë pozonte I ndjekur nga
gruaja dhe djali i tij, që çuditërisht nuk kishin dalë për të parë festimet e
Karnavaleve apo për të bërë “shopping”.
Lajmi më i madh brenda këtij lajmi stërmadh është se kemi qënë
të keqinformuar në shekuj për hundën e Skënderbeut. Skënderbeu ka qënë
syshqiponjë, por jo hundëshqiponjë. Kjo ka ardhur nga portreti më i njohur i tij,
i shekullit të XVI, I cili është bërë mbi gojdhanat dhe jo duke vizatuar
Gjergjin e gjallë. Hunda me kurriz dhe e gjatë, e ngjashme me hundën e Ahmet
Zogut dhe Sali Berishës, ka qënë tërësisht spekulative dhe ç’orientuese. Skënderbeu
i paraqitur nga Belini ka pasur një hundë të drejtë, autoritare dhe me majë
gjithashtu të drejtë. Ka shumë të ngjarë që të ketë qënë si hundët e Ali Pashë
Tepelenës, Enver Hoxhës dhe Edi Ramës. Dhe nuk ka ndonjë dëshmi deri më sot, që
në fund të Mesjetës të ketë qënë e shpikur e ashtuquajtura “rhinoplasty” për të
spekuluar se mundet që në vitet e fundit të jetës, Gjergj Kastrioti të ishte
lodhur nga hunda e tij e madhe.
Po si do veprojë shteti jonë me të gjitha hundët e veprave
skulpturore dhe të pikturës, që paraqesin Heroin tonë Kombëtar? Kjo është një çështje sa delikate aq edhe e
Sigurisë Kombëtare. Një hundë e rëndësishme nuk është thjesht një hundë.
Po le t’i gëzohemi lajmit të gjetjes së portretit të vërtetë
dhe le të merren burokratët tanë me hundët e shpërndara në trevat ku jetojnë
shqiptarët.
No comments:
Post a Comment