Ata të jepnin një ndjenjë të keqe, kur i shihje të rrjeshtuar në raft. Ndoshta për ne fëmijët. Kishin një formë të shëmtuar paralelpipedi dhe ishin të “bardhosur” me një pluhur të bardhë, që ka të ngjarë të ishte sodë kaustike. Masa e ngurtësuar ishte një lloj bezhe e çelur, që me kalimin e viteve nisi të shëndrrohet në kafe. Ishin sapunët e rrobave “Skampa”, që prodhoheshin në një fabrikë sapuni në Elbasan dhe lanin të gjithë rrobat e ndohtura në kohën e Diktaturës. Dhe që ishin jo pak të ndohtura, se njerëzit laheshin vetëm një herë në javë. Për të kursyer sapunin dhe se nuk kishte ujë të ngrohtë.
E bëra këtë hyrje për të shpjeguar më mirë ndjenjën që më la
një hotel i ndërtuar bash pas Bashkisë së Korçës. Hoteli nuk dallohet nga
Pedonalja dhe as nga ndonjë rrugë tjetër kryesore, por është pikërisht në qendër
të qytetit, në rrugën Jovan Cico Kosturi, që ka qënë tradicionalisht e njohur në
botën e Monumenteve të Kulturës, si një nga ansmblet kryesorë të arkitekturës
tradicionale korçare. Rruga në fjalë, fillonte në lindje në atë që tani mban
emrin bul “Republika” dhe mbyllej nga ndërtimi më i rëndësishëm në Korçë, Kisha
e Shën Gjergjit. Ishte një rrugë mbi 200 vjeçare dhe thuajse të gjitha ndërtimet
e saj, veçanërisht përgjatë veriut, ishin në vetevete monumente të arkitekturës
shqiptare. Me strehë të gjëra, erkera, qoshe me gurë të gdhendur dhe portikë të
hijshëm, oboorre të shtruara me plloça dhe puse brenda tyre, ata ishin
komplekse interesante të arkitekturës tradicionale. Të tilla ishin edhe dy
objektet, që ndodheshin pas ndërtesës tradicionale të Bashkisë, por që ishin lënë
në gjendje të mjeruar për shkak të mungesës së fondeve nga Drejtoria e Trashëgimisë.
Tani, në vend të tyre, është ngritur ky vëllim i shëmtuar, që
mua më kujton një sapun “Skampa” me atë soliditet të pahijshëm dhe me forcën gërryese.
I ka kaluar me rradhë të gjitha instancat, prej institucioneve që merren me
mbrojtjen e monumenteve (që shpesh venë bishta për gjërësinë e dritareve) dhe
deri tek Bashkia, nga dritaret e së cilës mund ta vëresh mirë e bukur këtë “damblla”
të quajtur hotel.
Askush nuk flet me zë të lartë!
Nëpër kafene dëgjon pëshpëritjet e specialistëve, që të
numurojnë “atë dhe këtë“, që kanë bërë “ata”, sikur “ata” të jenë Dalekët e
plotfuqishëm të zbritur nga një planet tjetër, si në filmin e viteve ’60 “Fitore
mbi dalekët”.
Lëvizjet në Korçë më bëhen gjithnjë e më të vështira. Duhet
të kaloj larg Kullës Vrojtuese, larg ndërtimit me dritare dhe llozha rrethore të
Uillsonit, larg “Derrit të Lerosur”, por edhe “qoshkave” të presin të tilla
befasi të pakëndëshme, si ky hotel në rr. Jovan Cico Kosturi. Ndoshta forma e
tij si sapun “Skampa” mund t’i ndihmojë psikologjikisht bashkiakët dhe të tjerë
autoritete, që të pastrojnë ndërgjegjen e tyre të fëlliqur së tepërmi.
No comments:
Post a Comment