Friday, 24 June 2022

“Adio spinaq se doli laboti!”


Kjo shprehje shumë vegjetariane duket se përdoret gjithnjë e më pak në anët tona. Të pakët janë ata që dinë se ç’është laboti dhe nuk besoj se mbjell më njeri. Diçka nuk shkon në prodhimtarinë e tij, ndaj edhe në shitje gjen gjithnjë e më shumë spinaq.

Kjo shprehje më erdhi ndërmend, ndërsa Rama i bënte karshillëk Bashkimit Europian, duke kërcënuar se nuk do shkonte bashkë me Vuçiçin në takimin e fundit të 6 mujorit të presidencës franceze në Bruksel. Pak a shumë ishte një “Adio BE, se ne kemi prodhuar “Open Balkan”.

Nuk është e pazakontë të kritikosh Bashkimin europian dhe burokracinë e tij për ngadalësi apo për mosmbajtje premtimesh. Por të tundësh flamurin e një “Open Balkan”, që në vetvete është një projekt gjysmak, i pambështetur nga të gjitha vendet e rajonit është arrogance e një provinciali të “ngrefur”. I njohur nga të gjithë si një projekt politiko-ekonomik i presidentit sërb Vuçiç, ai ka patur vetëm mbështetjen e Rusisë, Turqisë dhe Kinës dhe jo atë të Shteteve të Bashkuara apo të Bashikimit Europian.

Të valëvitësh si fitimtar një projekti të dështuar që në nisje, si “karshillëk” ndaj Europës është një marrëzi prej miopi në politikë. Edhe nëse do e çveshim nga interesa personale të Ramës dhe të oligarkëve më të afërt me të, “laboti” i “Open Balkan” jo vetëm nuk mund të zëvendësojë “spinaqin” e Europës, por na largon edhe më shumë prej tij. Situata në Ukrainë dhe qëndrimi pro-Putin i presidentit sërb, ka sjellë ndryshimin e qëndrimit të Amerikës dhe Europës ndaj tij. Të trumbetosh Vuçiç si proeuropian dhe prodemokraci është tërësisht e gabuar për interesat e Shqipërisë si vend dhe për interesat e gjithë shqiptarëve si komb. Nuk ka as mbështetjen e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni dhe mal të Zi. Mund të ketë vetëm mbështetjen e patronazhistëve, të cilët nuk dinë gjë tjetër veçse të brohorasin ato që bën Udhëheqësi i tyre i pagabueshëm.

Shqipëria ndodhet në një pikë shumë delikate të historië së saj. Situata politike në vend është plotësisht e atrofizuar. Mungesa e zërave kundër brenda PS-së dhe dobësia e theksuar e opozitës kanë bërë që Rama të drejtojë anijen shqiptare si një kapiten plotësisht i dehur nga deliri i tij i madhështisë. Eshte i njëjti delir që dikur e bënte Hoxhën të thërriste gjithë krenari : “edhe bar do hamë…”, ndërsa adhuruesi i tij të thotë:

“Adio spinaq, se doli laboti!”

No comments:

Post a Comment