Mësuese Loreta duhet të jetë tani në të 75-at. Duket më e re dhe nuk di nëse tek pamja e saj ndikojnë genet apo optimizmi dhe pasioni që e kanë karakterizuar në vite. Shumë i ri dukej në moshën e tretë edhe i jati i saj, i mirënjohuri, oparaku Noli Samara. (Për ata që nuk e kujtojnë, mjaft të sjellin ndërmend një burrë të pashëm e kokoroç, që ecte me nxitim dhe mbante një xhakavento shumë të gjatë lëkure. Hokatar dhe qejfli.)
Loreta nuk i ngjan Aleksandra Ilos ose Vali Dinellës,
portretet e të cilave i kam hedhur gjatë viteve në blog. Eshtë diçka tjetër. Një
dukuri korçare do ta quaja më shumë se një mësuese letërsie. Ishte përtej mësimdhënies
në një shkollë 8 vjeçare. U ndje e vrullshme që në përfundimin e Institutit, e bukur dhe aktive, që edhe pse me dy
xhaxhallarë dëshmorë, nuk i respektonte suazat e ngushta të sjelljes komuniste.
Ishte një shpirt i lirë, që donte të ishte në qendër të vëmendjes së qytetit
dhe mbeti në qendër të saj për një kohë të gjatë.
Pata dëgjuar për pasionin dhe rrepëtësinë e saj në orën e mësimit,
nga bashkëmoshatarë, që mësonin në shkollën “Stavri Themeli”. Vetë e pata
njohur në një konkurs recitimi në Shtëpinë e Pionierit, ku më përqafoi plot vërtetësi
dhe pasion, si përqafon një mësuese dashamirëse një fëmijë që i kishte pëlqyer
kur recitonte.
Më vonë jemi njohur më nga afër nëpërmjet burrit të saj,
aktorit dhe këngëtarit Niko Qirici dhe miqve të tjerë të përbashkët. Tek Loreta
gjeje dhe gjen jetën, pasionin për letërsinë, përbuzjen ndaj rregullave të
ngurta dhe meskine. Cdo adoleshent do kishte dashur ta kishte mësuese duke e
ndjekur me vëmendje për ato që thoshte. Po ashtu çdo adoleshente, që tek mësuesja
e letërsisë do gjente jo vetëm pasionin për artin, por do merrte edhe këshilla
se si mund të ndërtonte marëdhënie të shëndosha me atë që donte.
A ishte e parakohëshme për Korçën e viteve ’70 dhe ’80?
Mendoj se po. Në një mjedis tjetër, më pak mbytës, ajo do
gjente fushë më të lirë për pasionet e saj të mëdha ndaj letërsisë, artit,
muzikës, teatrit dhe të një shikimi më realisto-hedonist të jetës.
E tillë është ende mësuese Loreta, për të cilën nuk ke nevojë
të përmëndësh mbiemrin, se është një dhe e vetme!
No comments:
Post a Comment