Në telajon e bardhë stërmadhe
Ndërsa përpiqem të hedh të belit linjë,
Ti me djallëzi qesh,
Pastaj me të madhe;
Më thua:
Dita kur të më shohësh nudo kurrë s’do vijë!
I nxehur unë vazhdoj të hedh penelata
Pa të parë,
Për të të thënë nuk është trik piktori,
Në shtrat për të të marrë,
Të harbohemi sa të zgjasë nata.
Tek ti diçka të bukur pashë,
Tek sytë,
Mes gjinjve,
Ndoshta ku kofshët nisin.
M’u duke si një bimë e posaformuar,
Që dielli dhe shirat
Më pas e harlisin.
Atë pragharlisjeje dua të kap,
Më parë se gjithshka të jetë kryer,
Me linjën e belit nis,
Prej saj caqeve të telajos do hapem,
Të pikturoj çka më duket kaq e vyer!
No comments:
Post a Comment