Ajo kishte një buzëqeshje të bukur. Më pat mbetur në mendje buzëqeshja e buzëve dhe syve dhe pata harruar ngjyrën e lëkurës dhe të flokëve. Madje as formën dhe gjatësinë e tyre. Ishte e gjitha një buzëqeshje që të bënte të ndjeheshe mirë.
Kishte ardhur prej matanë detit ose detrave dhe punonte në
një bar. Duhet të ishte diku në mesin e të 20-ve, por ishte po aq e freskët dhe
fëminore sa në një adoleshencë të hershme. Unë shkoja në bar mëngjesave, kur
kishte pak njerëz, por të shumtë ishin edhe ata që kalonin në trotuarin pranë
barit dhe porosisnin duke thirrur të njëjtën kafe. Ajo ju përgjigjej me gaz në
buzë edhe pse mund ta dinte se disa syresh dëshëronin më shumë se një kafe. Kishte
mësuar t’i njihte njerëzit në ato pak vite pune. Sidomos meshkujt, që shpesh
ngatërrojnë buzëqeshjen me dëshirën për të zgjatur bisedat.
Afi jetonte vetëm në një apartament të vogël, ku mundohej çdo
gjë ta kishte në rregull, të ndryshme nga rrëmujat e darkave në bar, ku përzjerja
e koktejeve me zhurrmat e vendasve dhe gjuhët e huaja të turistëve, krijonin një
kakofoni, që pas shumë orësh punë e lodhte. Në atë “limerin” e saj ku sundonte
rregulli pëlqente të çlodhej dhe të thurrte endërrat. Për të takuar më shumë
njerëz si vetja, diku, ku njerëzit janë të lirë. Nëse vërtet ekziston një vend i
tillë.
Më pëlqente të merrja një lëng portokalli të shtrydhur nga
vetë Afi, se më dukej sikur isha në një vend ekzotik, ku nuk kanë hyrë
pesticidet dhe të tjerat kimikate dhe jeta është po aq e vërtetë dhe e
ngadalshme, sa edhe lëngu që rrjedh nga fruti i pjekur. I kërkoja të mos më
hidhte akull, si për të mos ftohur buzëqeshjen e saj. Dhe ndërsa mundohesha të
kuptoja se si ishte sjellë jeta me të, ç’farë zhgënjime mund të kishte patur
nga djemtë a nga ata për të cilët punonte, ajo më tregonte se kujdesej për të
studiuar motrën më të vogël në kryeqytet. Nuk ndodh shpesh kjo në botën ku
jetoj. Pa dashur të them se është më mirë apo më keq. Se në fund të fundit kjo është
bota e vërtetë. Me të do përplaset edhe motra e vogël e Afit, që tani studion
me paratë që i dërgon më e madhja.
Afi nuk është naïve edhe pse buzëqesh gjithë ditën dhe
thuajse e ndan me të gjithë gazin e saj për jetën. E di, që shumë njerëz nuk
janë ata që shtiren se janë dhe shumë të tjerë mund të mundohen të përfitojnë
nga bujaria e saj. Por nuk i bëhet vonë. Vetë jeta është më e bukur se njerëzit.
Këtë ka kuptuar prej vitesh dhe mundohet të gëzojë çdo çast. Në kontinentin ku
punon, që është aq i ndryshëm nga kontinenti prej nga vjen.
Ndaj buzëqesh aq shumë Afi!
No comments:
Post a Comment