Saturday, 25 June 2022

Qershor

Ishin ditët e qershive

Dhe të vishnjave ishin.

Të freskëtat mëngjese

Kur gjokset e vajzave gufonin

Dhe të holla këmishë vishnin.

Të parat fruta të stinës

Si më të hershmet hormone

Ftonin mezhdave të nisnin të parat puthje.

Djemtë ndjenin se diçka ishte në erë,

Harboheshin,

Pa kuptuar në sytë e vajzave atë lutje.

Për të hipur majë qershive,

Me dorën e tyre vitheve mbështetur,

E më pas,

Si të kishin lagur buzët me lëngun e ëmbël

Të përqafoheshin

E të shtriheshin për të fjetur.

Të mos dëgjonin mallkimet e të moshuarve,

Që bukurinë e qershorit prishin.

Ishin ditët që qershitë vileshin

Dhe ditët e vishnjave ishin.

No comments:

Post a Comment