Kreu i dymbëdhjetë
Ku tregohet për
formimin
E Komisionit të Ri
Naim Hana ishte ende në gjumë, kur Berti Dajkoja nisi ta
tundte me forcë. Kishin ndënjur deri vonë natën duke pirë dhe duke treguar
meselera të kohës së rinisë, ndaj dhe pse po afronte mesdita, ai ishte ende përgjumësh.
-
Ngrihu se vajti vafti i drekës! Dëgjo edhe se ç’ka
bërë sot vaki në Bredhishtë…e shkarkuan komisionin!
-
C’komision?
-
Komisionin funebër të Verorit. Me propozim të
familjes dhe miratim të Fikos…
Atë mëngjes patën ndodhur disa gjëra jo fort të mira, që
kishin sjellë atë pështjellim ngjarjesh, jo të zakonta për një ngjarje funebër
në provincë. Prokurori i Përgjithshëm nuk kishte ardhur nga kryeqyteti, por në
vend të tij kishte mbërritur zëvendëskryetari i Kadastrave, i cili bashkë me Baba
Raimondin kishin nxituar të zbulonin shtatoren e Verorit në troruarin në hyrje
të hotelit. Poshtë çarçafit ngjyrë portokalli me të cilin ishte mbuluar vepra
skulpturore ishte shfaqur figura cullak e Verorit në të ritë e tij. Mbi sup
kishte hedhurnjë lloj torbe të mbushur dhe vështrimin e mbante drejt Perëndimit.
Të pranishmit kishin lëshuar një “uuuuu” të zgjatur, të befasuar nga pamja e
lakuriqtë e biznesmenit dhe veçanërisht nga madhësia e organit gjenital.
Skulptori Uljanov Sopi ishte munduar të shpjegonte që qëllimisht e kishte
trajtuar si Davidin e Mikelanxhelos, për të theksuar rolin revolucionar të
biznesmenit në jetën e Bredhishtës, por familjarët kishin qënë ndër më të
indinjuarit, sëbashku me baba Raimondin, i cili u tërhoq përkohësisht në shënjë
proteste në teqenë e Qesarakës.
Shtatoren e patën mbuluar nga mesi e poshtë me kurora
lulesh, ndërsa Komisioni Funebër u shkarkua menjëherë dhe u ngrit Komisioni i ri,
i cili do përcaktonte një tjetër program të ditëve të zisë deri në mbërritjen e
Nënkryetarit të Bashkisë, që po ngutej të vinte nga Turqia me mjete të rastit. Familjarët
kishin këmbëngulur për një komision më konservator ndaj dhe në krye të tij u vu
avokati Rako Pilafi. Anëtarët e tjerë ishin Vasfi Kloca, Lirim Soxhuku dhe Elian Zilja.
Komisioni Konservator u mblodh menjëherë dhe në pikën e parë të rendit të ditës
hodhën poshtë të gjitha vendimet që kishte marrë Komisioni i Adelës. Në vend të
Simpoziumit për rolin e Verorit në Aleancën për Sigurimin e Detit të Zi, u
vendos të mbahej konferenca “Bektashizmi dhe përkrahja e biznesit – Vepër e
Veror Volorekës” që do kishte tre referate të mbajtura përkatësisht nga
medicinialisti Elian Zilja, ndërtuesi Skënder Doja dhe Loni berberi. “Pasditja
epiko-poetike e hashures” do zëvendësohej me eventin “Hashureja- një pikënisje
dhe një synim për të ardhmen”, ndërsa homazhet do zhvilloheshin gjatë gjithë
ditëve, ku do mbetej i hapur për 24 orë Albumi përkujtimor, ku njerëzit do
shkruanin mbresat e tyre për jetën e Verorit dhe do vendosnin edhe fotografitë,
që kishin bërë gjatë viteve me të. Shtrimi i rrugës me degë të posaprera
bredhash do ndalohej dhe qytetarët do lejoheshin të hidhnin gjatë korteut funebër,
lule sipas përzgjedhjes vetiake. Fjalimet e përmortshme do mbaheshin nga Genc
Gollashi, nënkryetari i Bashkisë dhe nga kundëradmirali Paulin Bardhi, kryetar i
Aleancës për Sigurimin e Detit të Zi.
Naim Hana i mësoi të gjitha çka kishin ndodhur në orët e
para të mëngjesit nga Berti Dajkoja dhe vendosi të shkonte të bënte homazhe në
hollin e Grand Hotel Volorekës, ku prisnin familjarët e Verorit. Në trotuarin
par hotelit ishin mbledhur një turmë kureshtarësh që sodisnin shtatoren e
Verorit të mbuluar nga kërthiza e poshtë nga kurora të panumurta lulesh
natyrale dhe artificiale. Pranë shtatores, skulptori Ulianov Sopi vazhdonte të
shpjegonte se cila kishte qënë porosia e fundit e Verorit dhe pse kishte
zgjedhur trajtimin artistik neoklasik dhe jo modern të skulpturës. Sipas tij,
kishte qënë dëshira e Verorit për një trajtim si në skulpturat e lashtësisë, për
të treguar se ne jemi autoktonë në trojet tona. Gjinekologu nuk arriti të
dallonte madhësinë e organit gjenital, që në Bresdhishtë ishte i rëndësishëm si
dëshmi e potencës mashkullore dhe e riprodhimit, por që nuk kishte patur të njëjtën
rëndësi për grekët e vjetër dhe artistët e Renesansës Europiane.
Në anën tjetër të hyrjes kryesore të Grand Hotel Voloreka, orkestra
frymore e qytetit, nën drejtimin e Premtim Turkut, bashkëshortit të Skënderijes,
luante melodinë e përmortshme “Mbeçë more shokë mbeçë“ të përpunuar për orkestër
frymore nga vetë Premtimi. Mes orkestrantëve ai dalloi Hilmi Kërrin, që luante
në kornë dhe që i shkeli syrin plot kuptim mjekut. Ky i fundit nuk arriti ta
kuptonte nëse shkelja e syrit kishte të bënte me incidentin me Hoxhë Klajdin
apo ngritjen e komisionit të ri ndaj vazhdoi të ngjiste shkallët e hyrjes.
(vijon)
No comments:
Post a Comment