Wednesday, 29 June 2022

“Abortimi” i ligjit mbi abortin


Ka shumë zhurrmë në mediat tradicionale dhe ato sociale rreth vendimit të Gjykatës së Lartë të SHBA për dy çështje që lidhen me ligjet mbi abortin në Amerikë. Më shumë është sulmuar një lloj shfuqizimi i vendimit të vetë Gjykatës së Lartë I vitit 1973, I ashtuquajturi vendim rreth procesit Roe vs Wade, I cili cilësonte si antikushtetues ligjin e shtetit të Teksasit, që ndalonte abortin. Që prej atij vendimi, në mënyrë të ngjashme janë cilësuar gjatë viteve edhe shumë ligje të shteteve të tjera. Vendimi I vitit 1973 nuk është një ligj në vetvete, por në sistemin anglo-sakson të drejtësisë, proçedohet edhe mbi bazën e vendimeve të mëparshme të Gjykatës më të fuqishme, të quajtura preçedentë dhe edhe pse nuk është Gjyqësori ai që nxjerr ligjet, vendimet e tij marrin forcën e një ligji.

Para disa ditësh, ndërsa kishte marrë në shqyrtim një çështje që lidhej me abortin, Gjykata e Lartë nuk përdori më preçedentin e Roe vs Wade, duke e justifikuar që “e drejta e abortit nuk është thellë në rrënjët e traditës amerikane” ndaj si e tillë nuk ishte e justifikuar ligjërisht deri në momentin e vendimit të vitit 1973.

Pa dashur të hyj në diskutimet “militante” të kundërshtarëve dhe përkrahësve të abortit, edhe pse e quaj një hap pas në zhvillimin e shoqërisë amerikane, dua të prek diçka që shumë analistë e anashkalojnë, ndërsa shumë fanatikë e paraqesin në ngjyra të feksura, sipas ideologjisë që ndjekin.

Vendimi dëshmon se sistemi i Drejtësisë në Amerikë funksionon dhe është më i pavarur se sa janë sistemet e Drejtësisë në vendet e tjera. Flitet shumë, që po të mos ishin emëruar tre gjykatës konservatorë nga Trump, ky vendim i fundit nuk do ishte marrë dhe Roe vs Wade do kishte mbetur në fuqi. E vërtetë, por po aq e vërtetë është që të tre gjykatësit e emëruar nga Trump janë mes më të mirëve që ka Amerika. Të shkëlqyer në njohjen e Kushtetutës, me karriera që nuk mund të vihen në diskutim dhe me një integritet të pashoq. Janë të rralla vendet që kanë autoritete të tilla në Gjykatën e Lartë dhe as që mund të bëhet krahasim me “ronxhobonxhot” tanë.

Problemi është që për çështje të caktuara, interpretimi I Kushtetutës amerikane, më e vjetra dhe më pak e ndryshuara, është kompleks dhe “të vërtetat” ndahen shpesh herë nga një qime e hollë e argumenteve juridike. Ndaj edhe kundërshtimet ligjore nga ekspertët për vendimin e vitit 1973 kanë qënë të shumta dhe po aq të shumta janë edhe për vendimin e vitit 2022. Të gjitha diskutimet janë të hapura dhe nga eksperët dhe aspak të ndikuara nga figurat politike. Prej kohës kur është shkruar, dh eveçanërisht në 50-60 vitet e fundit, ka pasur dy rryma të mendimit juridik për interpretimin e Kushtetutës amerikane. Rryma e origjinalistëve kërkon që Kushtetuta të interpretohet sipas qëllimit që kanë pasur ata që e kanë shkruar, ndërsa rryma e dytë, ajo e “Kushtetutës së gjallë“ kërkon që Kushtetuta të interpretohet sipas kushteve shoqërore dhe ligjore të kohës që jetojmë. Dhe në këtë “përplasje” marrin pjesë juristët konstitucionalistë më të shkëlqyer të Amerikës dhe të botës.

Ndaj nuk duhet të nxitohemi kur gjykojmë vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë si ideologjik, apo më keq akoma si”n jë përpjekje për të vendosur teokracinë në Amerikë“. Themeluesit e Republikës amerikane, kanë qënë jo vetëm shumë të mençur, por edhe me një vizion shumë të qartë të së ardhmes. Eshtë e vetmja Republikë që nuk ka degjeneruar ndonjëherë në Diktaturë në historinë e 250 viteve të fundit. Ndarja e shtetit nga institucionet fetare ka qënë i qartë dhe vazhdon të mbetet i tillë edhe pse në themelet e Republikës është shprehja “In God we trust” (Me besimin tek Zoti).

Do të jetë jo e largët dita, që interpretimet e lidhura me çështjen komplekse të abortit do marrin një interpretim më të kristalizuar në favor të së drjetës themelore të grave për të vendosur për trupin e tyre. Pork jo nuk do të thotë se ne, europianët dhe më keq akoma ne shqiptarët, jemi nga ana shoqërore dhe juridike më të përparuar se amerikanët. Jemi diçka më pas!

No comments:

Post a Comment