Wednesday, 15 June 2022

Zoga


U bënë disa vjet. Iku ndër të parët e brezit tonë, si kishte qene gjithnjë i pari thuajse në gjithshka. Ne e thërrisnim “Zogë“ dhe shumë rrallë Mili. I kishte mbetur ajo nofkë që në fëmijëri dhe të gjithë që e njihnin prej vitesh nuk i flisnin në emër. Ishte sportisti më i talentuar i një brezi të tërë dhe futbollisti më i mirë që ka pasur Korça.

Mili ishte krenaria e shkollës së Muzikës. I bukur, i gjatë dhe më se i talentuar në gjithë sportet, ai ishte pika e refererencës e të gjithë djemve dy-tre vjet më sipër dhe e të gjithë atyre që ishin poshtë tij. Ishte një lloj ndërthurje e pazakontë e bukurisë fizike me talentin në sporte, por edhe me rezistencën për të vrapuar me orë pa u lodhur. Dukej që shpejt do fillonte të luante me të rinjtë dhe më pas me ekipin e parë.

Ashtu si kishte qënë krenaria e shkollës 8-vjeçare ai ishte më shumë në qëndër të vëmendjes në “Raqi Qirinxhi”. Ishte më i formuar edhe nga stërvitjet dhe ndonëse nëpër fusha fluturonte si “zoçkë“, nuk ishte më ai fëmija i dikurshëm, i hajthëm. Në mesin e gjimnazit filloi të luante me ekipin e parë të Korçës. Ashtu si ndodh me të gjithë yjet e futbollit në botë. I gjatë, teknik, me rezistencë dhe shpejtësi, elegant dhe me njohuri të mira të taktikave, ai ishte dikush tek i cili mund të besoje gjithë fatin e lojës. Cdo ekip shqiptar e donte ta kishte dhe nëse nuk do ishte një vend në izolim, çdo ekip me emër do e kërkonte. Nga eleganca, hapi i madh dhe dinakëria në lojë mund të krahasohej me më të mirët e kohës në botë. Por ne jetonim në një botë tjetër dhe Milin hezitonin ta grumbullonin me ekipin kombëtar edhe për shkak se i jati, Dragoja i mirë, ishte malazez.

Për cilësitë e tij si futbollist është shkruar shumë dhe nuk dua t’i përsërit veçse të shtoj që mund të ishte bërë edhe një basketbollist i shkëlqyer dhe një atlet i mirë i vrapimeve të gjata. Ishin dhunti që natyra ja kishte falur me shumë dashamirësi.

Dua të përmend ato që na bënin përshtypje kur ishim pranë tij. Mund të luante gjithë natën me letra dhe pasi të flinte një orë të vetme ishte në gjendje përsëri të ishte më i miri në fushë. Mund të kishte kaluar një javë me aventura amoreske (ishte më i pëlqyeri i vajzave në një brez të tërë) dhe përsëri ta shpinte të djelë në fitore “Skënderbeun”. Pinte dy paketa cigare në ditë dhe përsëri kur jepeshin normat sportive të futbollistëve dilte i pari. Vetëm futbollistë si Krojf dhe Best kishin pasur të tilla “hyqe” dhe përsëri ishin më të mirët. Dhe i bënte të gjitha këto pa u mburrur kurrë. Pa thënë se ishte më i miri, pa thënë se ishte më i kërkuari, pa thënë se sa vajza përgjëroheshin të ishin shoqe të tij. Edhe nëse e sfidonte kush në çdo fushë, vendin për ta mundur ja linte “meidanit”. Me menefregizëm, pa i lënduar as humbësit dhe pa u grindur. Ishte shumë shpirtgjërë Mili Kërçiçi.

I ka dhënë aq çaste të bukura Korçës dhe korçarëve sa rrallëkush e ka bërë. Endrra të fitoreve në futboll, vërshime në sulm të papara edhe për kohën, por edhe më vonë; dha synimin për çdo djalë që donte të bëhej futbollist i dëgjuar; dha çaste të ëmbla për gjithë ato vajza që e kanë njohur nga pranë; dha miqësi bujare për shumë që kishte njohur.

Dhe ç’farë i dha Korça?

Ndoshta e teproj, por them shumë pak në këmbim të asaj ç’ka mori nga Mili. E mbajtën në një shkollë dhe në një profesion që nuk e donte për të mos e lënë ta merrte Tirana dhe më pas, kur u largua nga futbolli u morrën më shumë me ndonjë të metë të tij, se sa me bujarinë që e kishte karakterizuar. Një bujari që e bënte të linte pas dore veten.

Ndoshta në takimin e fundit që pata me të, vite para se të sëmureshe, i thashë: “Pse e ke lënë veten kështu!”, gjë që më ka mbetur peng dhe duke u ndjerë pjesërisht fajtor, që nuk bëmë më shumë për Milin sa ishte gjallë.

Nuk ka patur tjetër si ai dhe ndoshta do duhen shumë breza të dalë dikush i ngjashëm. Por të gjithë e kuptojmë shumë vonë, pasi i humbasim talentet që fati na i kishte dhënë t’i njihnim nga afër.

Na ndje Zogë!

 

 

No comments:

Post a Comment