Duhet të ketë qënë fundi i vitit 2011 (Presidenti në Shqipëri zgjidhet çdo 5 vjet), kur më lindi idea të gjeja mbështetje në Facebook për të paraqitur një kandidat nga Interneti për postin më të lartë të vendit. E mendoja që kishim nevojë për një grua, me një lloj impenjimi politik, por të papërfolur për korrupsion dhe militantizëm ekstrem. Më shkoi mendja tek një shoqe klase, që ishte ende ose kishte qënë ambasadore në Austri. Quhet Shpresa Prifti. Nuk kisha asnjë kontakt të saj dhe ndoshta hera e fundit, kur e kisha takuar mund të ketë qënë në fillimin e viteve ’80, kur ishim studentë. Kishim qënë 11 vjet në një klasë, por asnjëherë shokë të afërt. Për karrierën e saj politike (në krahun e majtë) kisha mësuar nga mediat.
Idea ndenji në FB për disa javë dhe ngjalli një lloj
interesi edhe pse figurë jo e njohur, por shumë njerëz të arsimuar jo nga Korça,
vlerësonin se një intelektuale me origjinë nga Korça mund të ishte një zgjidhje
shumë e mirë për politikën e korruptuar dhe antagoniste shqiptare. Për mungesë
të një mbështetjeje nga mbi 10 mijë persona nisma u shua. Për mua vlejti si një
eksperimentim social dhe pse nuk e nisa si të tillë. Disa nga përfundimet (jo
shkencore) po i rendis më poshtë:
·
Thënia e Biblës “nuk mund të jesh profet në qytetin tënd” mbetet po aq aktuale sa
edhe dymijë vjet më parë. Më hezituesit, më dyshuesit, më pak entuziastët ishin
korçarët. Me dhjetra të njohur dhe të panjohur për mua, ndiqnin pas “perdeve” të
Facebook se ç’ndodhte me nismën dhe komentonin negativisht kafeneve për cilësitë
e kandidates.
·
Militantët
ishin ata që klithnin më shumë. Ndoshta për të rënë në sy ndaj udëheqësve
lokalë të partisë, ata protestonin për përfshirjen në nismë, ose për zgjedhjen
e gabuar. Nuk i dija se në ç’parti militonin, por më tipikët ishin Ana Verushi
dhe Ardit Konomi. Verushi, që më vonë mësova se u prefekte, edhe pse e nihte
mirë Shpresën dhe mua, zgjodhi një batutë filmi për të asgjesuar idenë time: “Ke zgjedhur kohë jo të mirë për të bërë
dasmë o Mane!” Nuk kuptoja se ç’dasmë po bëja unë dhe nuk e vrava shumë
mendjen, se Ana njihej për një intelekt jo të plotë. Konomi, djali i pedagoges
kujdestare times dhe Shpresas, protestoi për idenë jo të përshtatshme dhe më
pas, si jurist kërcënoi edhe me process gjyqësor për defamim, diku në
Stratsburg. Ndoshta është ende deputet i PS-së. Të tjerë militantë nxituan të
hiqnin emrin nga grupi, ku i kisha futur unë ose të tjerë përkrahës së nismës. Në
heshtje.
·
Ata që
dinë më pak janë të sigurt se çdo gjë është e vendosur. Komentet e shumë të
njohurve, që nuk njihen për njohuri të thella politike-shoqërore kishin vetëm
një përfundim: Po ç’i kini mo këto! Eshtë
e vendosur kush do bëhet President dhe ju i bini legenit! Sigurisht që nuk është
e lehtë të nisësh nga “HiçI” një nismë në rrjetet sociale dhe të arrish të kesh
mbështetjen për një kandidat konkurrues, por është shumë herë më mirë se të
rrish në kafene dhe të ankohesh në hava pa lëvizur nga vendi.
·
Interesaxhinjtë
mendojnë se pas çdo lëvizjeje ka interesa të caktuara të një individi ose grupi
njerëzish. “Po ky ç’fitim ka?” “Me
siguri do i jetë premtuar ndonjë post I lartë?” ishin disa nga këmbimet në
inbokse, që arrinin deri tek unë. Kishte madje edhe psikoanalistë, që ishin të
sigurt se bëhej fjalë për një “dashuri të parealizuar” timen në kohën e
gjimnazit.
Si përmbledhje e përfundimeve të
mësipërme, u binda se shoqëria shqiptare është shumë e prapambetur dhe ka
mungesë të theksuar të solidaritetit dhe të tjera elementë negative të kohëve bizantine
dhe anadollake. Eshtë mirë të ëndërrosh se brenda kohës që të ka caktuar Perëndia
të rrish mbi tokë, mund të shikosh diçka shumë e mirë të ndodhë në vendin tim,
por për fat të keq gjërat kanë shkuar gjithnjë e më teposhtë.
E megjithatë nuk duhet të heqim kurrë dorë nga ëndërrat!
No comments:
Post a Comment