Friday, 10 June 2022

Drejtësia na shpëton!


Mbi një kolonë, veçanërisht të lartë për hapësirën ku ndodhet, rri skulptura e Drejtësisë. Ajo klasikja, me shpatë dhe peshore në dorë dhe me sytë e lidhur. E vënë në atë superpiedestal të duket e paarritshme, e pakapshme, jo humane. Më lind idea t’i shkruaj avokatit tim, që dikur ka qënë në Berlin- Ja edhe ideali tënd, që peshon se kush i ka koqet më të rënda dhe më pas ja pret me shpatë atij që i peshojnë më pak!

Eshtë një perceptim tepër maskilist ky i imi, por kur është krijuar figura simbol e Drejtësisë, shoqëria ishte tërësisht patriarkale dhe ndoshta femrat nuk kishin as të drejtë të hidhnin dikë në gjyqë. }ështja e “boleve” është e vërtetë edhe në vendet e zhvilluara, por tek ne në Shqipëri, si në çdo punë të keqe (thënie kjo e Is) arrin në dimensione stërmëdha. Përfaqësuesit e ligjit (gjykatës, prokurorë, avokatë, noterë) janë në gjendje t’ja u peshojnë bolet me një vështrim atyre që kërkojnë drejtësi. Ndoshta më mirë duhet thënë xhepat.

Ka shumë njerëz të ndershëm në Atdhe, por dhe shqiptarë që jetojnë jashtë, që e presin të ardhmen e Shqipëria tek sistemi i Drejtësisë. “Po u bë Drejtësia bëhet Shqipëria!”, ose “Të ketë një Drejtësi, që të bëjë shëmbull disa politikanë të korruptuar dhe vetëm ashtu zhduket korrupsioni!”, si dhe shprehje të ngjashme më ka rënë rasti të dëgjoj me dhjetra herë. Eshtë pak e vështirë t’ju shpjegosh, se Drejtësia nuk mund të bëhet vetë dhe gjithashtu nuk ka se kush ta bëjë.

Ashtu si tek rasti i skulpturës të sipërpërmendur, ne shqiptarët e kemi vënë Drejtësinë në një kollonë tmerrësisht të lartë, e adhurojmë, ndoshta dhe i falemi, por nuk e prekim se e kemi vënë aq larg. Nuk arrijmë të kuptojmë se Drejtësia duhet shumë pranë, brenda nesh, në kokën tonë dhe nis nga të qënit të drejtë me fëmijët, shokët, fqinjët, të panjohurit dhe përfundon tek proçeset gjyqësore. Ti nuk mund të kërkosh drejtësi, kur vazhdimisht pi cigare në lokalin ku shkon edhe pse e di që është e ndaluar me ligj. Ti nuk mund të kërkosh drejtësi, kur për të mbaruar shpejt një punën tënde, nxiton të paguash një “kafe” tek nëpunësi i vogël i korruptuar. Ti nuk mund të kërkosh drejtësi, kur paguan për provimet e vajzës edhe pse e di mirë, që ao nuk ka aftësi për të mbaruar Masterin. Dhe shembuj të kësaj natyre të sjelljes sonë në jetën shqiptare ka me mijëra.

Drejtësinë nuk e bëjnë as gjykatësit dhe as politikanët. Eshtë e gjithë shoqëria, që duhet të fillojë të “pastrohet” nga njollat e këqija të të “padrejtës” dhe më pas mund të ketë ngjashmëri me vendet skandinave dhe të ketë edhe një Drejtësi si të tyren.

Deri në atë ditë, do vazhdojë të veprojë kjo që kemi, Drejtësia e koqeve!

No comments:

Post a Comment