Saturday, 18 June 2022

Agllaia dhe spekullimet e atyre që botojnë kujtimet e saj


Kam hasur emrin e Agllai Zotos krejt rastësisht, rreth vitit 1985, kur shoku im Riku solli një libër të saj në frëngjisht për t’ja treguar tim eti. E kam përmendur këtë episod në një shkrim në blog, si dhe në librin tim “Biseda të pakryera me babanë“. Ishte një kohë, kur babait i ishte shfaqur depresioni, gjë që e bënte më të rezervuar në bisedat me të gjithë, përfshi këtu edhe me të afërm të familjes. I hodhi një sy kalimthi librit dhe reagimi i tij ishte disi i pazakontë, gjë që më bëri të dyshoj se duhet ta kishte njohur nga afër Agllainë. Nuk i kujtoj me saktësi komentet e tij dhe nëse përmendi se si ku e kishte njohur, por ajo që më ka mbetur në mendje ishte një lloj habije që Zoto kishte mundur të shkruante një libër në frëngjisht. Nuk jam ende i sigurt nëse “Re gri mbi vendin e trëndafilave” ishte shkruar vërtet në frëngjisht nga autorja apo ishte shkruar në bullgarisht dhe përkthyer nga dikush tjetër.

Po ato ditë, mësova nga ime më, që Zoto kishte pasur një lidhje të afërt me babanë, e sigurt kjo gjat[ vitit 1946, sepse edhe kishte ardhur në Korçë për ta vizituar atë verë, kur ai ishte i sëmurë. Të gjitha këto të treguara nga anëtarët e tjerë të familjes Mara në atë kohë. Asnjëherë nuk e preka me babanë njohjen e tij me Agllainë. Edhe fotoja e mësipërme, ka ardhur tek ne pas vdekjes së babait, se kishte mbetur në shtëpinë e tij të fëmijërisë dhe rinisë dhe nga mamaja mësuam që duhet të ishte Agllaia. Megjithatë nuk do isha i sigurt ta përfshija në librin tim, po mos kisha folur gjatë me Zija Xholin në vitin 2003. Profesori i nderuar, i çuditur që e dija marëdhënien e tyre, ma konfirmoi duke më treguar edhe hollësi të tjera të kohës së rinisë në Sekretariatin e BRASH-it.

Ju riktheva kujtimeve të të tjerëve, ndërsa lexoja në gazetën “Panorama” të këtyre ditëve, botimin e kujtimeve të Agllai Zotos, e cila ja kishte lënë dikujt për t’ja botuar, para se të largohej përfundimisht në Greqi. Nuk ka ndonjë lidhje mes kujtimeve të saj dhe atyre ç’ka përmenda unë, por dua të prek dy pika, të cilat janë thelbësore në publikimin e memuarëve.

·         E para është që të gjithë gabojnë në memuarët e tyre. Eshtë diçka e njohur fare mirë shkencërisht edhe nga mjekët dhe psikologët, por edhe sistemet ligjore në botë, që nuk ka kujtesë identike të ngjarjeve në botë. Dëshmitarë të ndryshëm I kujtojnë në mënyrë të ndryshme dhe sa më shumë kalojnë vitet, aq më tepër kujtesa e gjithkujt luan me vetë individin që është i sigurt se e kujton ngjarjen ekzaktësisht si ka ndodhur. Ndaj dhe autorët seriozë, të cilët botojnë memuarët e tyre, ju kthehen ditareve, shënimeve të kohës, gazetave dhe të njohurve që kanë qënë të pranishëm për t’i verifikuar. E dinë, që po të mos e bëjnë mund të gabojnë madje rëndë.

·         E dyta është gjendja e shëndetshme ose jo mendore, kur shkruan kujtimet. Shumë njerëz priren të shkruajnë kujtimet e tyre kur nuk janë në një gjendje të mirë mendore dhe në këtë mënyrë ato përkohen nga deliret, nga ngjarje dhe personazhe t[ imagjinuara dhe jo vetëm nga pasaktësi kohore . Padashur, njerëz të caktuar mendojnë se kanë qënë të pranishëm të ngjarjeve të mëdha, ose kanë marrë dhe përcjellë mesazhe nga njerëzit e fuqishëm. Kështu nisin të tjerrin edhe arsyetime absurd se kjo apo ajo kanë ndodhur në këtë mënyrë të diktuara nga kjo ngjarje botërore apo nga ky udhëheqës i madh.

Për sa më sipër, është e domosdoshme që botuesit e memuarëve të bëjnë një punë jashtëzakonisht skrupuloze në verifikimin e materialeve që ju paraqiten si pjesë të historisë. Nga padija dhe për të tërhequr lexuesit, shumë prej tyre entusiazmohen nga memuaret që përmendin ngjarje persona të rëndësishëm sa humbasin edhe llogjikën më të thjeshtë të verifikimit të ngjarjeve. Për fat të keq, në ato pjesë të kujtimeve të A.Zotos kishte me dhjetra të tilla.

Ndër të parat gjëra që të binin në sy ishin mungesa e datave. Përmendeshin si të vërteta ngjarje që nuk kishte se si të kishin ndodhur. Për shembull shkruhej se Enver Hoxha i kishte kërkuar Agllaisë, një ose dy vjet pas Luftës të shkonte të studionte për Mjekësi të bëhej kirurge për Byronë Politike! Pa thënë se është krejt pakuptim që kryeministri i një vendi t’I kërkojë një 20 vjeçareje që të shkojë të studiojë për një degë të caktuar, Byroja Politike as hapur as fshehur në vitet 1946-47 nuk konsiderohej si një grup i caktuar i privilegjuar. Më pas, vijojnë të tjera “kujtime delirante” të veçimit të 13 studentëve shqiptarë nga 500 që u kthyen pas prishjes së Titos me Stalinin, që të vazhdonin në Jugosllavi propagandën antijugosllave. Mes tyre Agllaia me një shoqen e saj që arrestohen dhe torturohen nga jugosllavët!

Më pas kujtimet vazhdojnë me përzjerjen e pazakontë të qëndrimeve të Agllaisë ndaj Teodor Zhivkovit, Enver Hoxhës dhe personaliteteve të tjera, sa fillon të vesh në dyshim nëse vërtet Zoto ka qënë Prokurore e Përjithëshme e Bullgarisë, si shkruan në kujtime pa përmendur as vitet kur ka qënë e tillë. Në fillim të viteve ’60, bullgarët, pas divorcit nga i shoqi e futin në spital psikiatrik për t’i mbyllur gojën, prej ku çuditërisht shpëtohet nga një mjek dashamirës që e ndihmon të shkojë në Francë!

Një botues serioz nuk mund të botojë kurrë kujtime të tilla edhe pse mund të jenë shkruar me dorën e autorit apo autores. Veç spekulimit për të marrë shumë klikime ai nuk i bën mirë as autorëve, as gazetës dhe më pak akoma lexuesve dhe historisë. Thjesht mjegulla rreth ngjarjeve të luftës dhe të Diktaturës, që ka qënë e trashë për shkak të falsifikimeve të propagandaës komuniste, bëhet edhe më e pakapërcyeshme nga dëshmi që kundërshtojnë njëra tjetrën, të hedhura në kujtime njerëzish, që dashje apo pa dashje kanë një rrëmujë faktesh në kokën e tyre.

E shkreta Agllai prehet tani në paqe, pas një jete me peripeci, por jo si ajo që ka përshkruar në vitet e fundit të saj, kur mendja i ishte lodhur.

No comments:

Post a Comment