- Shëndet!
-
Plaç!
-
Po përse më përgjigjeni kështu? Shëndet ju thashë.
-
Në pamje të parë ashtu duket, por dallova djallëzi
dhe cinizëm në zërin tënd.
-
Të më ndjeni, po nuk kishte as djallëzi dhe as
cinizëm. Vetëm me shumë dashamirësi ju urova të jeni sa më i shëndetshëm.
-
Pse ju duket se nuk jam i shëndetshëm? Nga arrin
në këtë përfundim?
-
…Nuk them se nuk jeni i shëndetshëm…por kështu më
kanë mësuar t’ju them njerëzve kur teshtijnë.
-
E shikoni që hezitoni! Ka shum mungesë
sinqeriteti në këtë hezitim. Përdorni gjoja dashamirësinë për të maskuar me
mjeshtëri cinizmin tuaj , të cilin isha në gjendje ta dalloja! Komplimente!
-
Më vjen keq për këtë keqkuptim, por nuk kisha
asnjë qëllim të keq.
-
Po pse keni lëkundje zëri? Sepse me gjithë përzjerjen
mjeshtërore të ironisë me cinizmin, ju e keni kuptuar që tek unë këto nuk ju
shkojnë! Ndaj duhet të më kërkoni ndjesë ose të tërhiqni atë që thatë në
fillim. Për më tepër është edhe një shkelje e hapur e privacisë.
-
Po ku hyn privacia këtu? Ju posa teshtitë këtu në
park të hapur, me një fjalë në publik.
-
E teshtitura është një çështje tërësisht
personale dhe private dhe unë kërkoj të respektohet deri më një privacia ime.
Ka ligje në botë për këtë.
-
Më vjen keq dhe ju kërkoj përsëri ndjesë në ju
kam lënduar.
-
Po vazhdoni me ironinë tuaj të stërholluar, por
po ju flas në emër të të gjithë teshtitësve në botë, të cilët doni t’i diskretitoni,
që do e ndjek ligjërisht këtë çështje. Jam në gjendje të dalloj ujkun e mbështjellë
në gëzofin e rudë të mirësjelljes.
-
Po largohem, por përsëri do më duhet t’ju uroj:
Shëndet!
-
Plaç edhe njëherë!
No comments:
Post a Comment