Tuesday, 21 June 2022

Kush ju dha çelësat e projektimit të huajve në Shqipëri?


Në Shqipëri ka shumë pak investitorë të mëdhenj të huaj, por çuditërisht projektojnë shumë arkitektë të huaj. Mospërputhja (që nuk është normale) nuk vjen se investitorët vendas të ndërtimit parapëlqejnë arkitektët e huaj ndaj vendasve, por nga një nga truket e hershme të Edvin Ramës, për të kontrolluar sektorin fitimprurës të ndërtimit dhe për të pasur hiset më të mëdha në përqindjet që ndajnë investitor-miratues i lejes së ndërtimit.

“Duart” e Ramës u futën në llumin e korrupsionit në ndërtim, që në fillimet e tij si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, por “marifeti me të huajt” është diçka që i përket disa viteve më vonë, kur ai kuptoi se mund të përfitohej më shumë dhe duke u ndjerë më pak. Përdorimi i arkitektëve të huaj ishte “guri” me të cilin ai mund të vriste “disa zogj”. Arkitektët e huaj do përdornin tarifa shumë më të larta se vendasit, do përdoreshin si “luksi” që po sillte Rama në Shqipërinë ku nuk afroheshin të huajt dhe do ishte e sigurt se do “flisnin” më pak se vendasit për aferat korruptive.

Skema e përdorur në filllim në Tiranë rezultoi shumë e efektshme, se studio e huaja (që pak ju bëhet vonë për ndërtimet në Shqipëri) rezultuan se mund të dëgjonin Ramën- kryetar Bashkie për çdo gjë që dëshëronte dhe të hapnin shumë më pak problem se arkitektët vendas. Rama mund të përdorte reputacionin e tyre (edhe kur kishin edhe kur nuk kishin) në mënyrë të efektshme për ato që quhen “public relations”.  Nëse do shihni me kujdes, të gjitha “monstrat” e ndërtuara në Tiranë kanë për autorë arkitektë të huaj, të cilët pasi marrin pjesën e luanit në projektim, ja lenë punën më të madhe arkitektëve shqiptarë, sepse as nuk ju bëhet vonë të liçensohen në Shqipëri.

Me marrjen e qeverisë në vitin 2009, Rama e shtriu në stil edhe më të gjërë, ndërtimin e keq të qyteteve ndërmjet arkitektëve të huaj të korruptuar. Tashmë jo vetëm Tirana u la në “kujdestarinë“ e tre-katër firmave italiane, belge dhe holandeze, por arkitektë të huaj u dërguan si “komisarë të plotfuqishëm projektimi” edhe në qytetet të tjera. Për Korçën u pais me “kartabiankë“ arkitekti australian Uilson, ndërsa për Vlorën arkitekti belg Havie Dë Gejter. Dhe këta arkitektë pa liçenca shqiptare morrën jo vetëm konkurset e vendosura që më parë të projekteve publike, por të gjitha projektet e ndërtimeve shtetërore. Dhe sikur të mos mjaftohej me kaq, por të gjithë investitorët seriozë shqiptarë detyrohen të shkojnë bëjnë projektet tek këta arkitektë të Ramës. Një nga ndërtuesit më të njohur në Korçë, që kishte zgjedhur prej vitesh të punonte me arkitektin e njohur Vladimir Bregu, u detyrua të shkonte dhe “të falej” tek australiani Uilson, që nuk është as në gjysmën e nivelit të arkitektit shqiptar.

Unë jam për tregun e lirë në fushën e projektimeve. Nuk ka asgjë të keqe, që në Shqipëri të kemi edhe projekte nga arkitektë italianë, grekë, francezë, gjermanë dhe amerikanë apo kanadezë. Nuk jam as në kundërshtim që të ketë lehtësime edhe për marrjen e liçencave shqiptare nga studiot e huaja të interesuara për të punuar për projektet shqiptare. Por kjo vjedhje e hapur ndaj investitorëve shqiptarë, ndaj projektuesve shqiptarë, ndaj publikut shqiptar, jo vetëm që është e turpshme, por ka lënë edhe rezultate që vështirë të korrigjohen për dhjetvjeçarë të tërë. Vëllimi monstruoz në “shtatë xhuxhat” në Tiranë, “përbindëshi “ në pjesën perëndimore të sheshit Skënderbej, Kulla Vrojtuese në Korçë, ndërtimi i shëmtuar në Sheshin e Flamurit në Vlorë dhe shumë të tjera, janë vepra të projektuesve të huaj, për të cilët projektimi në Shqipëri është një shëtitje e shpejtë dhe me fitim të lehtë, për shkak të lidhjeve që kanë me kryeministrinn dhe puthadorësit e tij.

Kësaj i duhet dhënë fund pa qënë tepër vonë! 

No comments:

Post a Comment