Poezia e djeshme ishte postimi im dymijor në blog. Eshtë thuajse saktësisht një postim në dy ditë, që më bën të marr titullin “thuajse grafoman”. Kam hyrë në një kategori jo të mirë dhe ka të ngjarë me kalimin e viteve të kthehem në “grafoman” e më tej në “grafoman par excellence”. Jo mirë!
Por me realitetin nuk hahem dot dhe kjo eshte gjendja, tash
e 11 vjet, kur hapa blog-un dhe bëra
postimin e parë. Të shkruarit, të shprehurit e opinioneve dhe kujtimet bëhen një
lloj “addiction”, që nuk është as më
e mirë dhe as më e keqe se obsesionet e tjera. Bëhesh deri diku i varur, ashtu
si janë të varur nga rrjetet sociale shumë bashkëmoshatarë të mij, veçanërisht
ato të seksit të bukur.
Nuk di me saktësi se ç’ndodhte 11 vjet më parë gjatë pranverës
dhe verës dhe se ç’teme “rrotulloheshin” postimet e mija, veç di të them se
gjendja shoqërore-politike në Shqipëri është keqësuar, ndërtimet në Tiranë dhe
Korçë janë përmirësuar dhe korrupsioni është rritur.
Thuajse e njëjta gjë është në botë. Ka mbetur i pashuar
zjarri në Irak dhe janë ndezur disa vatra të reja, më e ndjeshmja kjo në zemër
të Europës. Të pasurit janë pasuruar edhe më shumë dhe të varfërit janë shtuar
e bashkë me ta edhe teoritë konspirative. Më 2011 dëgjohej më pak rreth Iluminatit
dhe planeve të tyre për të shfarosur popullsinë botërore. Tani çdo idiot, që ka
mbaruar një shkollë edhe pse ka qënë i tillë, mundohet të të mbushë mendjen se
jo vetëm pandemia është e pavërtetë dhe e sajuar, por se me vaksina do kthehemi
në impotentë, sterilë dhe qënie të komanduara.
Në 11 vjet, shkrimi më i lexuar i blog-ut ka qënë “Bini”
kushtuar shokut tim të vyer Robin Xoxit ditën që u largua nga kjo jetë. Ndiqet
nga shkrimi “Ku ka shkuar “rebelizmi intelektual” i Korçës”, shkrim rreth
heshtjes ndaj ndërtimit të Bibliotekës së Re në qëndër të qytetit.
Ndër emrat më të kërkuar, që shërbejnë si “keywords”, vendin
e parë e mban Rahim Ombashi, i ndjekur nga Koçi Xoxe dhe Eduard Zaloshnja.
Eshte shumë interesante se ç’kërkojnë shqiptarët në Google. Mendoja se mund të
ishin Niko Peleshi, Edi Rama dhe Sali Berisha, por jo.
A jam penduar që kam hapur blog-un pas 4000 ditësh dhe 2000
postimesh?
Jo! Në të kundërt do e kisha mbyllur.
No comments:
Post a Comment