Tuesday, 14 June 2022

Arumunët, vllehët, çobenët, llacfacët etj.

Cështja arumune në Shqipëri është një çështje, të cilës nuk i është shkuar shumë thellë në studime, kryesisht për shkak të politikës së heshtjes gjatë viteve të Diktaturës. Kujtoj që diku nga vitet ’80, në një mbledhje të sektorit të kulturës, kur dikush kishte përmëndur minoritetin vlleh, Anastas Kondoja, atë kohë anëtar i Komitetit Qëndror të PPSH, i revoltuar kishte thënë prerë: Nuk ka minoritet vlleh në Shqipëri! Më ishte dukur i çuditshëm ai qëndrim, që kuptohej se nuk ishte qëndrimi i Cacit, pasi nuk kishte kuptim të quaje jo pakicë, një popullsi që  fliste një gjuhë tjetër dhe nuk ishte asimiluar.

Në Korçën e fëmijërisë sime, vllehët (ose më saktë çobenët) ishin një nga katër komunitetet kryesore. Madje në ndryshim nga të krishterët dhe myslimanët (turqit dhe kaurët), që flisnin vetëm shqip, çobenët kishin një gjuhë të tyre, e cila nuk shkruhej, por ngjiste me rumanishten. Dihej se kishin erdhur në Mesjetën e hershme nga Vllahia dhe ishin ngulur në shumë vendbanime në Ballkanin e jugut. Një pjesë e tyre, që merrej me blegtori ishin ende nomadë dhe shëtisnin nga një krahinë në tjetrën e atij territori të pacak, që quhej Perandori Otomane.

Në vitet ’60, kur kisha nisur të kuptoja pak nga “dynjaja”, çobenët në Korçë ishin kryesisht shoferë dhe futbollistë. Parku i Mallrave ishte i mbushur me shoferë me mbiemra Lara, Lera, Trasha,Simaku, Hali, Sholla, Kita e shumë të tjerë. Tek “Skënderbeu” ishin dalluar Veriga, Koça, Sholla, Lara,Tole e të tjerë më pas. Nuk më kujtohet të kenë qënë të shumtë në sektorin e shkencës dhe të kulturës, por ndoshta në të kishte ndikuar edhe një lloj përndjekje, që “Partia” i kishte bërë bashkësisë vllehe. Duke qënë vazhdimisht të orientuar drejt tregëtisë dhe me pjesë të familjeve në Greqi, edhe pse në fillim kishin mbështetur Frontin, pas lufte shumë vllehë ishin zhgënjyer dhe ishin arratisur në Greqi. Kjo kishte bërë që të kishin qënë “me kët” të drejtat e studimit për bashkësinë e tyre. Meshkujt ishin bërë në masë shoferë, si një profesion që sillte të ardhura dhe krijonte mundësi për të vazhduar traditat e tyre të blerjes së leshit dhe shitjes së qilimave dhe të tjera këmbime valutash apo ari, që i lehtësonte lëvizja nga një zonë e Shqipërisë në tjetrën.

Bashkësia vllehe jetonte kryesisht në lagjet 1, 2 dhe 3 dhe parapëlqente të kishte shtëpi private. Me kalimin e viteve dhe ndarjet e famijljeve në degë, sigurisht që shumë prej tyre filluan të banonin në apartamente. Ndoshta kjo ishte arsyeja që në pallatin ku u rrita kishte vetëm një familje vllehe mes 24 familjesh dhe në klasë kam pasur pak të tillë. Nuk kujtoj kurrë të kem hyrë në një shtëpi ku flisnin çobançe. Ndaj njohuritë ndaj historisë së tyre, zakoneve i kam pasur gjithnjë tepër të përcipta. Duke pyetur kisha mësuar se edhe brendapërbrenda bashkësisë së tyre, vllehët dallonin katër kategori që ishin : të Voskopojës, të Plasës, të fushës dhe të malit ose sarakaçanët. Këta duhet të ishin shtresa më pak e pëlqyeshme, se kishin qënë deri vonë nomadë dhe kishin zënë vend në Korçë vetëm pas mbylljes së kufijve me Greqinë.

Në Historinë e Shqipërisë, që mësonim në shkollë, përmendej shumë shkurt Voskopoja dhe lulëzimi i saj dhe nuk përmendej aspak roli i jashtëzakonshëm i vllehëve në rritjen dhe zhvillimin e saj. Përpjekjet e “internacionalistëve” të Hoxhës ishte asimilimi i plotë i vllehëve.

Arsyeja?

(vijon)

No comments:

Post a Comment