Monday, 20 June 2022

“Peshkaqeni katarosh”


Nuk gjeta nofkë më të goditur për një hotel në ndërtim e sipër, diku në afërsi të Golemit. Padyshim i hyj në hakë edhe peshkaqenit më të shëmtuar të ujërave të globit. Qëniet e gjalla nuk mund të kenë të tilla trajta të pë]udnuara.

Nuk di se kush e ka të drejtën të japë leje ndërtimi në këtë pjesë të Adriatikut, por edhe pse përgjithësisht jam për decentralizim të pushtetit, në rastet e vijës sonë bregdetare diçka duhet bërë. Ndoshta një lloj këshilli urbano-turistik, i cili përcakton jo vetëm master-planet e zonave ndërtimore në bregdetin shqiptar, por miraton edhe lejet e ndërtimit.

Ndërtimet prej Plepave dhe deri në këtë zonë të plazhit, përgjithësisht janë të dobëta, të stërngjeshura dhe me shumë pak gjelbërim përreth, por ky hotel, që ndërtohet së fundmi, ka pas jo vetëm investitorë lakmitarë, por edhe një tufë me projektues dhe miratues, që nuk kanë dashur të mësojnë nga gabimet e bëra më parë nga të tjerët.

Eshtë tepër i padimensionuar mirë si vëllim, dhe me një arkitekturë “terrorizuese” në fasadat e tij. Ballkonet, që dalin si dhëmbë prerës të mbivendosur të një peshkaqeni, nuk të krijojnë ndjenjën e duhur të prehjes dhe qetësisë, që supozohet të ketë një ndërtim me funksion pushimet. Një përpjekje shumë amatoreske, gati prej student të viteve të para të arkitekturës, që dëshëron të bëjë diçka “origjinale” për t’I rënë në sy pedagogut. Për më tepër, ballkonet mendohen me një mbështejtje butaforike nga poshtë, që përveçse komplikon ndërtimin dhe shton koston e tij, nuk duket se ju bën ndonjë dobi fasadave.

Si mund të projektohet kështu në vitet ’20 të shekullit të ri?

Kjo është pyetja që të vjen ndërmend dhe të cilës nuk je në gjendje t’i japësh përgjigje. Të duket se përgjigjen ja u ka dhënë Celentano në këngën e tij të famëshme “La situazione non e buona”. Por ai e ka për arkitektët italianë dhe ne duhet të kishim mësuar më shumë të mos bënim atë që kanë bërë gabim ata.

Për fat të keq, “peshkaqeni katarosh” dhe shumë ndërtime të tjera të dobëta do mbeten për vite të tëra në plazhet tona.

No comments:

Post a Comment