Wednesday, 29 June 2022

3016 km... (kreu 13-fund)

 (vijim)

Të katër heshtën dhe nisin të mendoheshin se cila mund të ishte detyra më e përshtatshme për t’i mbushur mendjen Vasfiut të largohej nga vendroja e nderit dhe të angazhohej në diçka më pak të rrezikshme për jetën e tij dhe mbarëvajtjen e ceremonive funebër. Naimit i shkoi ndërmend t’a ngarkonin me detyrën e manaxherit të petanikëve që do servireshin në drekën e përmortshme, por nuk e sugjeroi se mendoi që familja e të ndjerit do e zgjidhte çdo gjë gastronomike brenda lokaleve të hotelit.  Befas brofi Elian Zilja me një buzëqeshje triumfuese në fytyrë:

-          E dimë që Gole Gollashi është nisur me makina të rastit për të ardhur në varrim. Pse mos dërgojmë Vasfiun si përfaqësues të Komisionit që ta presë me një makinë diku në mes të rrugës.

-          Po Vasfiu nuk di të ngasë makinën!

-          Pikërisht. Makinën mund t’ja kërkojmë Gugu Gurgullimës dhe ai e nis shoferin e tij, bashkë me Vasfiun si përfaqësues të komisionit. Shpejtojmë ardhjen në qytet të Gole Gollashit dhe shpëtojmë Vasfiun dhe gjithë ceremonitë.

-          Duhet të marrim miratimin e familjes për këtë. Marëdhëniet e Verorit me Gugun nuk ishin shumë të mira, për shkak të rivalitetit në sektorin e turizmit.

-          Rastet e gëzimeve të mëdha dhe të hidhërimeve të mëdha veçse ç’janë për të lënë mënjanë armiqësitë. Unë e kujtoj mirë, kur hapnim kanalin e madh të Vjosës në Levan të Fierit- filloi të tregonte shtruar inxhinier Soxhuku ndërsa tre të tjerët po tregonin shënja padurimi- dhe do bëhej një dasmë e madhe, po xhaxhai i dhëndërit kishte patur një marëdhënie dashurore me tezen e nuses, që nuk kishte përfunduar në martesë. Burri i tezes, të cilin e kisha punëtor në kantier, nuk pranonte për qamet të shkonte në dasëm dhe kërcënonte edhe të tjerët e sojit të nuses të mos shkonin se xhaxhai i dhëndërit ju kishte nëpërkëmbur nderin. Se respekti në ato anë është shumë i rëndësishëm. U deshën dy javë me biseda mes palëve dhe disa mbledhje të organizatës bazë të kantierit, që të sheshonim konfliktin që nuk dihej se si mund të përfundonte. Se njeriu për një nder rron! Më në fund palët bënë paqe dhe shkoi aq mirë, sa kur u lojt “Nusja jonë në valle”, tezja e nuses e zuri për dore xhaxhanë që nuk e kishte marrë për grua dhe tërë dasmorët u ngazëllyen.

-          Merre ti Lirim situatën në dorë dhe bisedo me familjen sa më parë- mbylli takimin avokati Rako Pilafi dhe të gjithë dolën nga saleta e restorantit.

Naim Hana i pëshpëriti shkurtimisht Themijes se do ketë shumë shpejt një zgjidhje dhe se Vasfiu mund të nisej shumë shpejt drejt Adrianopojës për të pritur Gole Gollashin. Ndërkohë inxhinier Soxhuku po bisedonte në një nga dhomat e hotelit me djalin e madh të Verorit, Altinin.

-          Altin mbi supet e të gjithëve është një barrë e rëndë, që ka të bëjë me nderimin e figurës së Verorit dhe se do trajtohet historia e Bredhishtës në të gjithë trevat shqiptare dhe më gjërë. Situata e paparashikuar me anëtarin e Komisionit tonë, Vasfi Klocën, do një zgjidhje të nderuar, të menjëhershme, të respektueshme dhe efikase. Qëndrimi i tij vetmohues mund të ketë pasoja fatale, që do tërheqin vëmendjen nga ajo çka jemi fokusuar të gjithë dhe që është përjetësimi i figurës së të nderuarit Veror Voloreka. Do duhet nga të gjithë të kemi një vështrim gjithëpërfshirës të ngjarjeve të mëparshme, të sotshme dhe ato të së ardhmes. Ndaj si Komision menduam që të ngarkojmë Vasfiun me detyrën e përshpejtimit të mirëpritjes së nënkryetarit të Bashkisë Gole Gollashit në territoret jashtë atdheut. Kjo do bëhet me makinën e biznesit të Gugu Gurgullimës, e cila do niset menjëherë sapo ju si familje të jepni miratimin.

-          …Nuk gjendet një makinë tjetër po duhet të niset domosdoshmërisht makina e rivalit tonë?

-          Do të jetë edhe një gjest uniteti, respekti dypalësh dhe triumfi të traditës së lënies mënjanë të mërive para çështjeve të mëdha. Eshtë shumë simbolik Altin!

Altin Voloreka dha pëlqimin zemërthyer, me një tundje të kokës dhe Lirimi nxitoi t’ja përcillte Rako Pilafit, i cili shkroi shpejt e shpejt në një pusullë dhe ja shpuri Vasfi Klocës. Vasfiu pati vështirësi në fillim për ta lexuar dhe picërronte sytë, por më pas u duk se ishte bindur nga ajo ç’ka kishte shkruar kryetari komisionit dhe pasi hodhi sytë përreth, me dy hapa të mëdha u drejtua nga Themija, e tërhoqi nga supet dhe e vendosi në vendin e tij për të bërë roje nderi. Një nga familja Kloca do qëndronte deri në përshëndoshjen e fundit me Verorin e ndjerë.

No comments:

Post a Comment