(vijim)
Ishin një varg me njerëz që po bënin homazhe rreth trupit të
biznesmenit, pranë të cilit po bënin roje nderi anëtarët e komisionit Rako
Pilafi, Vasfi Kloca, Skënder Doja dhe Loni berberi. Naim Hana u mundua t’ju
shmangej shikimit të tyre duke ndenjur pas Hënës së gjatë, e cila po kryente
gjithashtu nderimet e rastit për të ndjerin. Në holl nuk pipëtinte as miza.
Komisioni kishte vendosur që homazhet të kryeheshin nën një heshtje solemne,
madje veç shtrëngimit të duarve me familjarët mos kishte as fjalë ngushëllim
apo pyetje të rastit. Të gjitha mbresat dhe ndjenjat e homazhistëve do i
shkruante gjithsejcili në Albumin e Përmortshëm, që tashmë ishte mbushur dhe
kishte nisur vëllimi i dytë. Pasi ju dha dorën dhe përshëndeti me kokë të venë
e Verorit dhe dy djemtë e tij, Naimi priti gjatë sa Hëna e gjatë shkrojti
mbresat e saj në Album dhe më pas vazhdoi të hidhte shënimin e tij me
stilolapsin që i zgjati Hëna. Duke dalë jashtë, anëtarja e Këshillit të Qarkut
përkuli kokën pranë veshit të tij dhe i pëshpëriti:
-
Shoku…nuk mendon se unë do e kisha organizuar më
solemnshëm? Nuk di kush i cakton këto Komisione…- dhe si pa që mjeku nuk po i përgjigjej
vazhdoi- Shoku, si t’u duk poema e Skënderijes? Mësova se ta kishte lexuar të
gjithë.
-
Epike- u përgjigj mjeku, për të mos e vazhduar më
bisedën, kur përballë tyre vinte me kokën futur mes supeve poeti Tit Tepeleku.
Hëna e gjatë dhe mjeku ndalën dhe përqafuan poetin e
tronditur, në sytë e të cilit dalloheshin lotë që ishin gati të derdheshin çurk.
Atmosfera ishte vërtet e rëndë. Orkestra frymore kishte nisur të luante notat e
përvajshme të këngës popullore “Të qan
nëna o Baki, të qan shoqëria”, orkestruar sin jë marciale e zvargur nga
drejtues Premtimi. Të prekur dukeshin edhe kureshtarët përreth Uljanov Sopit,
që mundoheshin të dallonin mes ngjyrave të luleve, organin gjenital të
shtatores, aq të përfolur gjatë asaj dite.
-
Një vdekje shumë e papritur Tit! E kuptoj
ndjeshmërinë tënde, por…
-
E ç’rëndësi ka Naim! Verori, me të cilin pija çdo
dy ditë kafenë mëngjesave nuk është më dhe unë nuk do ta takoj dot kurrë më!-
tha mes ngashërimave poeti Tit Tepeleku.
-
Shoku…po ndoshta do bësh mirë, që pas të
shtatave të bësh të njëjtën gjë me gruan e Verorit. Edhe ajo ka nevojë për dikë
që të ndajë dhimbjen- tha gjithë solemninet Hëna e gjatë, që jo më kot ishte
zgjedhur këshilltare e Qarkut.
-
Nuk do mundem…- ndërpreu një çast ngashërimat
poeti dhe pasi fshiu lotët shtoi- ende mendësia e bredhishtarëve nuk ka arritur
në kapërcyellin e shekullit ndaj dhe druhem se një prije e rregullt e kafesë me
vejushën do të përflitet…
-
Po joooo! – këmbënguli Hëna e gjatë - të gjithë
e njohin reputacionin e panjollë si tëndin ashtu edhe të vejushës…Mundet edhe
unë t’ja sugjeroj këtë familjes së Verorit. Për më tepër tani që atyre ju duhet
një poet zyrtar i familjes, pas shkarkimit nga funksionet i Skënderijes.
-
Po unë jam poet lirik. Nuk mundem të rrok katërcipërisht
të gjithë epikën e sojit të Volorekasve, veçanërisht atë të Verorit. Mund të
shkruaj për romantikën e dashurisë së tyre jetëgjatë, por jo më tepër. Nuk me
jepet!
-
Të jepet shoku të jepet! Edhe Bajroni poet lirik
ishte po e qante edhe epiken! Si mendon ti Naim? Ti e dëgjove poemën e Skënderijes.
Nuk është në gjendje Titi të krijojë po aq vargje të fuqishëm. Një gërshetim
liriko-epik…
Mjeku nuk dinte ç’të thoshte i ndodhur mes këmbënguljes së Hënës
dhe syve të hapur të poetit Tepeleku, i cili dukej se mëdyshej mes qëndrimit të
tij në fushën e lirikës dhe tundimit për të qënë poeti zyrtar i Volorekasve dhe
i gjithë Bredhishtës.
-
Titi duhet të kesh më shumë besim në forca tënde
krijuese! Ti je në gjendje të shkruash vargje që të të luajë tepeleku!- tha i vendosur
Naim Hana dhe u nda nga poeti dhe nga Hëna e gjatë për të shkuar diku larg,
mbase deri në Grykën e Ujkut për të pritur sa të mbylleshin ditët e përzishme
dhe Refik Fufulina me shpurën e tij të kthehej nga Turqia.
No comments:
Post a Comment