Wednesday, 15 June 2022

Arumunët, vllehët, çobenët, llacfacët etj. (2)


(vijim)

 Arësyeja?

Arësyet duhet të kenë qënë të ndryshme. Teoria e një nacionalizmi ekstrem mund të jetë më e besueshmja. Për shkak tëpopullsisë së vogël të Shqipërisë në përfundim të luftës dhe pretendimeve të grekëve për një numur shumë më të madh të popullsisë greke në Shqipërinë e Jugut, një minoritet i deklaruar arumun krahas atyre grek, maqedonas dhe malazez do sillte një tkurrje të përqindjes së popullsisë shqiptare. Në rast se i shtoheshin edhe bashkësitë rome dhe egjiptiane të qyteteve, atëhere rrezikohej që popullsia shqiptare të zbriste në kuotat poshtë 70%, sidomos në Jug dhe në tryezat ndërkombëtare mund të kishte edhe pasoja të papëlqyeshme.

Po nëse kjo arësye mund të kishte një justifikim pragmatik, sepse e bënin edhe shumë shtete fqinjë, që shfarrosën me dhunë dhe ligje komunitetet, aresyeja tjetër, ajo e barazisë të të gjithëve, të çveshur nga çdo veçori zakonore, gjuhësore, kulturore ishte edhe më absurde dhe më e përbindëshme. Ende kujtoj një nga këngët më të bukura popullore të vllehëve, që në një Festival të Gjirokastrës këndohej me tekst të përkthyer dhe nuk kishte të njëjtën bukuri si në original edhe pse ishte një perlë e dhimbjes njerëzore. E përkthyer kënga titullohej “Ky kurbeti i shkretë!”

Vllehët edhe pse një bashkësi shumë vitale dhe e madhe në numur, nuk mundeshin më të bënin përpjekje që gjuha e tyre të shkruhej dhe aq më pak të hapeshin shkolla në gjuhën e tyre. Prej tërmetit të vitit 1930, ishte shembur edhe një pjesë e mirë e kishës së tyre të Shën Sotirit dhe ndoshta as në ceremonitë fetare nuk merrnin më pjesë si bashkësi. Idea “tani jemi të tërë njëlloj” pastronte trurin e njerëzve nga çdo lloj grimce kulturore, që mund të vinte në dyshim parimet e mëdha marksiste-leniniste, që mësoheshin në shkolla dhe trumbetoheshin kudo.

Edhe pjesçmarrja në administratën më të lartë të rrethit dhe të qytetit dukej se nuk ishte në raport me popullsinë vllehe. Ndoshta funksionari më i lartë, pas Rita Markos, që kishte qënë Sekretar i Parë i Korçës në vitet ’50, kujtoj vetëm Dhimitër Petron të arrinte deri në rangun e Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv dhe të Sekretarit të Parë. Lidhjet e gjakut me të arratisur apo të përndjekur, i pengonin edhe komunistët më të devotshëm vllehë të ngjisnin shkallët drejt majës së Piramidës së pushtetit.

Në vitet ’60 e më tutje, bashkësitë në Korçë nisën të përzjeheshin me martesa, më shumë se në dhjetëvjeçarët e mëparshëm. Ishin shtuar martesat e atyre që dashuroheshin dhe kjo ishte mëse e kuptueshme. Nuk dija që në rrethin familjar kishim pasur një të hershme martesë me një arumun. Kushërira e parë e mamasë ishte martuar me vëllanë e aktorit të madh Sandër Prosi. Ishin nga ata që në Tiranë i quanin “llacfacë“ për shkak të gjuhës dhe që kishin të gjithë një emër shumë të mirë. “Llacfacët” kishin edhe kishën e tyre të Shën Prokopit dhe profesione të zgjedhura dhe gjendje të mirë ekonomike. Në gjendje të ngjashëme ishte edhe bashkësia arumune e Durrësit.

Vllehët e Myzeqesë ishin më shumë vllehë që merreshin me profesionet e tyre tradicionale të fushës së blegtorisë nga rritja e bagëtive të imta dhe deri në baxhot, kasaphanat e të tjera të ngjashme.

Por bashkësia më e madhe vllehe vazhdonte të ishte ajo e Korçës deri në fund të Diktaturës.

(vijon)

No comments:

Post a Comment