Kreu trembëdhjetë
Ku tregohet qëndrueshmëria
E Vasfi Klocës
Naim Hana ishte nisur për një ecje të gjatë deri në Gryka e
Ujkut, kur pa që drejt tij nxitonte Themije Kloca duke tundur duart majë kokës.
Nxitoi dhe ai drejt saj dhe dëgjoi që mes dihatjeve theshte “…Vasfiu…o ç’më gjeti mua…nuk dëgjon!”
Mjeku u mundua ta qetësonte dhe të mësonte se ç’kishte ndodhur. Me fjalë të
palidhura mirë, Themija i shpjegoi që Vasfiu kishte mbi 16 orë që nuk lëvizte
nga roja e nderit pranë trupit të Veror Volorekës. Me gjithë përpjekjet e komisionit për ta ndërruar
ai vazhdonte të qëndronte stoik dhe të mos jepte asnjë shpjegim. Nuk kishte pirë
as ilaçet e përditëshme.
“Një situatë e jashtëzakonshme,
që mund të përballohet vetëm me një mobilizim të jashtëzakonshëm” mendoi
mjeku dhe mori drejt Grand Hotel Voloreka duke mbajtur përkrahu Themijen. Në
hyrje të hotelit çdo gjë ishte si e kishte lënë dhe fanfara luante një tjetër
melodi të trishtë të kompozuar për ngjarjen nga Premtim Turku. Hilmi Kërri i
shkeli përsëri syrin, por Naimi ishte i përqëndruar në figura e gjatë e Vasfi
Klocës, thellë në hollin e hotelit, që dukej si një shtatore vetmohuese. Nuk
dinte si t’i afrohej, se përreth çdo gjë ishte në rrjedhën normale. Homazhistët
silleshin përreth trupit të të ndjerit, më pas ju jepnin dorën familjarëve dhe
vazhdonin drejt pupitrës ku ishte vendosur vëllimi i rradhës i Albumit të
Përmortshëm. Nuk pipëtinte gjë.
Vasfi Kloca i la të kuptonte Naim Hanës se e kishte parë dhe
vazhdoi me të njëjtin qëndrim stoik të treste vështrimin jashtë dyerve të
hapura të hollit. Nuk kishte asnjë dyshim se ai do qëndronte në të njëjtin
pozicion deri sa të mbaronin ceremonitë, ose deri sa të binte vetë. Nuk kishte
rrugë të tretë. Dikush ju pëshpëriti, që në një nga sallat e hotelit ishte
mbledhur Komisioni funebër. Naim Hana ndoqi pas pëshpëritësin duke i bërë shënjë
Themijes ta priste atje për të parë nga afër qëndrimin e Vasfiut. Në saletën e
restorantit ishin ulur rreth një tavoline Rako Pilafi, Lirim Soxhuku dhe Elian
Zilja. Mjeku u ul pranë tyre dhe priti të dëgjonte se ç’vendim kishte marrë
komisioni për çështjen Vasfi.
-
Jemi të befasuar – tha gjithë seriozitet Rako
Pilafi – Nuk mund të bëjmë dot asgjë.
-
Kjo gjë nuk më kishte bërë vaki që kur ndërtonim
hidroçentralin e Gjançit dhe na ndodhi një aksident me një punëtor- nisi të
fliste shtruar inxhinier Lirim Soxhuku- i jati i të ndjerit nuk pranonte të
ulej kur priste ngushëllonjësit dhe nuk dinim ç’të bënim se nuk donim të kishim
edhe një vdekje të dytë. Pas tre orëve të para i vura ta mbante përkrahu Skënder
Dojën, por nga mezi i natës Kenon e këputi gjumi dhe u rrëzua me gjithë plakun.
U detyruam te vinim punëtorë me turne për të mbajtur plakun më këmbë deri në orën
e varrimit.
-
Situata nuk është e ngjashme. Nuk mund të vemë
roje mbajtëse për rojen e nderit dhe njëkohësisht nuk e dimë nëse Vasfiu do
pranojë stëngëza. Më përmendi që në fillim se nderin që i ishte bërë nga
zgjedhja si anëtar i Komisionit do dinte si ta shpërblente – u hodh Rako Pilafi
-
Po sikur t’i kërkojmë ndihmë Baba Raimondit. Ai
ka shumë ndikim në Klocë dhe besoj edhe tek vetë Vasfiu- tha medicinialisti
Elian Zilja.
-
Baba Raimondi është në Teqenë e Qesarakës dhe ka
thënë që do vijë vetëm në varrim. Nuk besoj se do na ndihë dot në këtë problem
të madh. Them që dhënia e një funksioni më të rëndësishëm se roja e nderit mund
të bëjë që Vasfiu të ndryshojë qëndrim.
-
Po ne e kemi të miratuar tashmë programin e
ditëve të zisë. Nuk do duket serioze një ndryshim i ri – kundërshtoi Lirimi ,
kryetarin e Komisonit.
-
Nuk them ta ndryshojmë programin, por t’i japim
një detyrë të rëndësishme, e cila nuk ka pse të pasqyrohet domosdoshmërisht në
programin e afishuar.
(vijon)
No comments:
Post a Comment