Ndoshta jo të gjithë e njihnin si Pandi Lula. Më të shumtit e thërrisnin Pandi Gjiza, me nofkë, si i thërrisnin dikur burrat në qytetin tim.
Në barin e një mikut tim është kjo foto e njohur etij, e bërë
ka gjasa nga fotografi Eliano Kalemi, që është edhe portreti zyrtar i Pandit të
shkretë. Ndjehet në të psikologjia e të çmendurit të mirë, por nuk dëgjohet zëri
i tij i ngjirur prej baritoni, me të cilin zgjonte qytetin në kohët e tij më të
mira. Pranë fotografisë i kanë vënë një çelës, me siguri për të treguar se
Pandi Gjiza mbetet “QytetarNderi“ i qytetit. Dhe e meriton më shumë se disa
prej atyre, që politika, interesat apo të tjera arsye i kanë bërë zyrtarisht “të
nderuar” të qytetit tim edhe pa qënë të tillë.
Pandi Lula ishte i sëmuri mendor i mirë dhe i vrullshëm, që
nuk shante kurrë njeri, veç arbitrave që bënin të humbiste “Skënderbeu”, ekipi
jonë i zemrës. “Arbitri i shitur…lakraxhi…e
anullovi gollin…Tirana, federata e ka fajin!” Në vitet e tij më të mira
ishte të shtunë e të djelë në stadium dhe në këndin e lojrave me dorë, ku me
dashamirësi e linin t’i ndiqte ndeshjet pranë fushës. Më pas ndiqte sportistët
më të njohur dhe ata duke qeshur I flisnin për sportin, se ndoshta arumuni Lula
nuk kishte ndonjë interes tjetër. Ndonjëherë e shihje rrugëve me një pompë
kimikatesh të lëngëta në kurriz, duke spërkatur pusetat dhe pika të tjera ku
mblidheshin insekte. Ishte puna e tij e përhershme, kur nuk ishte i shtruar në
spitalin e të sëmurëve mendorë në Elbasan.
Në Korçë, në kohën e fëmijërisë sime, kishte disa të sëmurë
si Pandi Gjiza, të cilët i njihte i gjithë qyteti, por vetëm emri i Pandi Lulës
njihej në gjithë Shqipërinë. Ishte më paqësor se të tjerët, më energjik, por
nuk shprehte asnjëherë keqdashje. I përkishte asaj kategorie të çmendurish, që
përshkruan Simone Kristiki në këngën e tij “Ti rigalero una rosa ”, ku mes të
tjerash thotë:” Të çmendurit jemi ne që
askush nuk na kupton/ Kur edhe shoku më i mirë ju tradhëton!”
Pandi Gjiza prehet diku në varrezat e Shën Triadhës. Në një
varr pa emër, ose ndoshta edhe në një të sistemuar mirë nga të afërmit e tij nëse
ka patur të tillë. Ishte dikur, një pjesë e ditës sonë, që në orët e para të mëngjesit,
kur shkëmbente batuta me ata që rrinin në rradhën e qumështit dhe na zgjonte pa
dashur si për të na thënë:
-
Si ju
flihet o gjoja të mënçur në këtë kohë të poshtër që po jetoni!
No comments:
Post a Comment