Kishte vdekur papritur Veror Voloreka. Naim Hana e mësoi nga lëvizjet e shumta në korridoret e hotelit dhe nga pëshpërimat e punonjësve “..si është e mundur?!...ai ishte mirë….u bënë dy vjet nga operacioni…si do bëjmë…si të ikte kështu Verori? Si pe plumbi…” Naimi nuk e kishte kuptuar kurrë këtë shprehje që përdorej për vdekjet e menjëhershme. Kishte lidhje me plumbin që të godet papritur e të merr jetën, apo me rrëshqitjen e vetëtishme të peplumbçes, kur lëshohej poshtë për të kontrolluar vertikalitetin e murit. Në anët e tij, muratorët kishin qënë të shumtë, por jo të pakët ishin edhe ata që mbanin dyfekë.
Veror Voloreka nuk ishte ngritur nga shtrati atë mëngjes dhe
i kishte tronditur të gjithë në Bredhishtë. Vdekja e tij kishte ndodhur pikërisht
kur i gjithë ekipi i Bashkisë, me Fiko Fufulinën në krye, ishin për një vizitë
miqësore dhe binjakëzimi në Turqi. Bashkë me ta ishin edhe myftiu dhe hoxha i Bredhishtës.
Ndaj ishte thuajse një krizë institucionale kjo , e pazakontë për qytezën
sidomos në rast vdekjesh. Dhe bëhej fjalë për vdekjen e njërit nga përfaqësuesve
më në zë të saj. Gjithshka duhej të zgjidhej në kryeqytet, nga pritej të vinin
Prokurori i Përgjithshëm, zëvendës kreu i Kryegjyshatës Botërore, Baba Raimondi
si dhe kryetari i Aleancës të Sigurimit të Detit të Zi, kundëradmirali Paulin
Bardhi. Por pala pritëse, që duhet të mbante peshën e organizimit të ceremonive
për përcjelljen e Verorit, ishte pa përfaqësues të nivelit të lartë. E vetmja këshilltare
e Qarkut, Hëna e gjatë, ishte ateiste dhe nuk mund të ngarkohej me detyrën e
shefes të ceremonive, për më tepër që ishte edhe beqare. Ndaj mbetej vetëm
farmacisteja Adelë, që ishte zëvendësja e Verorit në Aleancën e Sigurimit të
Detit të Zi për Bredhishtën të bënte diçka të denjë.
Adela veproi me një shpejtësi të pazakontë, nëse kemi
parasysh që e hiqte dhe pak këmbën e djathtë. Formoi menjëherë komisionin e
kremtimeve funebër, që veç saj do kishte në përbërje kandidatin e shkencave
filologjike Aferim Dollibashin, skulptorin Uljanov Sopi dhe poeteshën Skënderije
Turku. Në mungesë të një vendimi të Këshillit Bashkiak për të shpallur ditët e
zisë lokale, në këshilllim edhe me familjen, komisioni vendosi të shpallte
kalendarin e ditëve funebër:
Dita e parë- Përurimi i shtatores së
Veror Volorekës në hyrje të Hotelit. Vepër e skulptorit Uljanov Sopi. Skulptura
e derdhur përkohësisht në allçi do përurohej nga Prokurori i Përgjithshëm dhe
nga Baba Raimondi. Gjatë gjithë veprimtarisë, orkestra frymore e qytetit do të
luante marshe funebër.
Pasditen e ditës së parë do mbahej Simpoziumi – Siguria e Detit të Zi dhe roli i Veror
Volorekës në të. Do lexoheshin kumtesat nga kundëradmirali Paulin Bardhi,
farmacisteja Adelë dhe nga kandidati i shkencave filologjike Aferim Dollibashi.
Dita e dytë- Kryerje e homazheve në
hollin e hotelit pranë trupit të të ndjerit nga banorët e qytezës dhe të ardhur
nga kryeqyteti dhe qytezat përreth. Shfaqje e videos përkujtimore “ Verori – bir, bashkëshort, baba dhe gjysh”.
Pasditen e ditës së dytë do mbaheshin “Pasditet poetike-epike të hashures në Bredhishtë“, veprimtari e përvitëshme,
për të cilën i ndjeri pati qënë disa herë mes sponsorizuesve. Do lexohen vjershërime
patriotike, ku vendin kryesor do zerë poema epike “Rron or rron, nuk vdes Verori!” e poeteshës Skënderije Turku. Në
fund do ndahen edhe hashuret e sjella nga konkuruesit e zonës, por këtë rradhë
nuk do ketë ndarje çmimesh.
Dita e tretë - Përcjellja funebër për në
banesën e fundit. Parashikohet shtrimi i rrugës nga do kalojë korteu me degë
bredhi të posalulëzuara. Në vorrezat e qytetit do mbajë fjalën e rastit Prokurori
i Përgjithshëm dhe nënkryetari I Bashkisë, I cili ka ndërprerë vizitën në Turqi
dhe është nisur me mjete të rastit drejt atdheut.
Dreka
familjaro-administrative në mjediset e hotelit “Voloreka”.
(vijon)
No comments:
Post a Comment