Një ditë
Nën pelerinën e qullët të shiut.
Nuk kam ku i ndej ëndërrat,
Nuk kam as si të shtrydh mendimet;
Nën një fishkëllimë të erës së veriut
Nuk mund të avullojë gjithë uji i fjalëve,
As të përthahen trishtimet.
Njomur më tepër se se një shparcë
Eshtë buza.
Shiu më ka qullur deri në palcë,
Plot pellgje është rruga.
Këngët nuk janë në gjendje të fluturojnë
Me krahët e rënduar nga lagështia,
Vetëm mund të mbeten si stërpikje
Në akuarelin stërmadh
Të ditëve të mia.
Shtigjet që zgjaten në këtë udhëkryq,
Të gjitha drejt ujrave shkojnë
Ndaj pa lëvizur po rri.
Mes grisë,
Jeshiles
Dhe një të
kuqeje që rrjedh
Eshtë mëngjes dhe bie shumë shi.
No comments:
Post a Comment