Nuk prisja të zbuloja një pjesë të bukur të Shqipërisë, pikërisht atje, ku hija e Kupolës së famshme të Duomos së Firences qëndron më gjatë. Në pjesën veriore të Katedrales.
Përgjithësisht ndalem në vendet ku qëndrojnë piktorët në
pritje të turistëve. Shpesh dallon shkëndija të vizatuesve të shkëlqyer ose të
koloristëve mjaft të mirë, që kanë kaluar në shkollat e mira artistike të Europës
Lindore. Nuk është e lehtë të jetosh vetëm me art në Perëndim dhe veçanërisht më
e vështirë është në Amerikën e Veriut. Shitja e akuareleve, grafikave,
karikaturave, portreteve të shpejta me laps është një nga mënyrat që piktorët
kanë zgjedhur të bëjnë në vendet ku
kalojnë shumë turistë gjatë vitit. Nuk është një punë e thjeshtë, por është më
pranë profesionit të tyre edhe pse të gjithë do preferonin të pikturonin në qetësi,
në studio e tyre, të pashqetësuar nga zhurrmat dhe lëvizjet e njerëzve.
Ishte një piktor iranian, që pasi mësoi se isha shqiptar më
tha që më se gjysmat e piktorëve pranë Duomos ishin shqiptarë. U ndjeva shumë
mirë edhe pse nuk arrija dot të dalloja mbiemrat në punimet e tyre për t’ju dhënë
të njohur. Më njohu të nesërmen me disa prej tyre, Mark Kokaj, një veteriner
inteligjent nga Lezha, që kishte vite në Firence dhe e njihte mirë bashkësinë
tonë.
Alfred Miloti ishte një nga artistët tanë në Firence, që ka
studiuar skulpturë në Milano, por më parë kishte mbaruar shkollën artistike “Jan
Kukuzeli” në Durrës ku jepnin mësim piktorët e njohur durrsakë si Gavril
Priftuli. Fredi është shumë i gjallë, me një buzëqeshje që nuk i ndahet nga
fytyra, por mjaft serioz ndaj artit dhe kërkesave ndaj tij. Ndërsa Marku përmendi
një çelës gjigand të tij duke e ngacmuar, më erdhi ndërmend që kisha parë një emission
televiziv rreth një vepre të tij skulpturore të vendosur në hyrjen e
Cernovaras, Avelino në Itali. Eshtë vërtet një vepër skulpturore e mençur, me
një trajtim të hijshëm tridimensional dhe që të bën të mendosh. Me thjeshtësi
dhe buzëqeshje Fredi tregonte për të tjera projekte të ngjashme, në pjesë të
tjera të Italisë. Nuk dukej se kush nga Tirana o ndonjë qytet tjetër i Atdheut
ishte i interesuar për projektet bashkëkohore të skulptorit Miloti.
I pari në rreshtin e artistëve ishte Armand Xhomo, emrin e të
cilit e kisha dëgjuar para rënies të Diktaturës. Xhomo ka mbaruar skenografi
dhe ka punuar për disa filma të kinostudios “Shqipëria e Re”, por në veprat e
ekspozuara shoh pak ndikim nga skenografia. Koloraturë kontrastesh në punimet në
vaj dhe elegancë në akuarelet. Na fton të shohim studio-ekspozitën e tij duke
mos ju kushtuar rëndësi punëve të vëna për shitje në shesh. Më mbetet peng që
koha nuk më premton të shoh punët që e bëjnë të ndjehet krenar. Eshtë piktor i një
niveli shumë të mirë Armandi dhe i njohur në Italinë e Veriut, por edhe në
Amerikë.
Miku im Mark Kokaj më shpie në studion e piktorit Frederik
Ivanaj, të cilin e quan “dekani” i piktorëve shqiptarë të Duomos, sepse ka qënë
i pari syresh. Ivanaj ka disa kohë që nuk punon më në shesh, por studioja e tij
është në një vend shumë të rrahur nga turisët dhe vazhdon të pikturojë për ta,
si dhe të marrë porosi nga artdashës italianë që kërkojnë tablo të mëdha në
vaj. Biseda me të sillet rreth Degës së Skenografisë në Institutin e Arteve në
vitet ’80, rreth të mirënjohurve Agim Zajmi dhe Ali Oseku, si dhe kufizimeve të
mëdha në ekspozitat e pikturës të viteve të Diktaturës. Cuditërisht në studion
e tij gjej punime të një piktori të shkëlqyer shqiptar, Artur Muharremit, me të
cilin Ivanaj ka qënë shok në Lice. Muharremi është padyshim ndër piktorët më të
mirë shqiptarë dhe në elitën europiane. Frederiku me të folurën e tij të
shtruar flet me po aq dashuri për pikturat e shokut sa edhe për veprat e tij.
Nuk është një dukuri e shpeshtë dashuria dhe respekti për punët e kolegut, por
tek piktorët tanë në Firence e gjej të pranishme.
Pata shkuar në Firence kryesisht për Brunaleskin edhe pse e
dija që kishte edhe shumë nga Xhioto, Mikelanxhelo, Donatelo dhe Dante atje.
Por ajo që më entusiazmoi më shumë ishin piktorët tanë, që nuk i kishte
shkurajuar emigracioni, por kishin vazhduar të bënin me pasion e dëshirë atë që
kishin ëndërruar gjithë jetën. Të pikturonin!
E ku pra? Pikërisht nën “hijen” e Brunaleskit dhe të gjigandëve
të tjerë të Rilindjes Europiane.
No comments:
Post a Comment