Sunday, 26 June 2022

3016 km nen rrena (Vdekja e V.Volorekes-fund)

 (vijim)

Naim Hana lexoi në hyrje të hotelit, të afishuara, përmbajtjen e ditëve të kremtimeve funebër dhe mendoi të shkonte vetëm në ngjarjet e ditës së dytë. Ditën e parë do i duhej të sistemohej në ndonjë të afërm, se nga hoteli duhej të largohej. Ai vihej i gjithi në gjendjen e jashtëzakonshme të zisë dhe njëkohësisht do strehonte të gjithë të ardhurit nga kryeqytetit. Bujtinat e tjera ishin të gjitha mbi kapacitetet e tyre. Nuk dinte nëse do ishte më mirë të flinte për tre ditë në kushëriri i tij Vasfi Kloca apo në kushëriri i  Artemisit, Berti Dajkoja. Vendosi të shkonte tek i dyti, se Vasfiu me siguri që do ndiqte me besnikëri të gjitha ngjarjet e ditëve funebër. ishte shumë fetar.

                U nis drejt ndërtesës ku ishte apartamenti i Berti Dajkos i ndjekur nga rrëkëzhdrëku i rrotullave të valixheve. E ndali prekja delikate në bryl dhe zëri melodioz i një femra. Ishte poetesha Skënderije Turku, më e njohura në të gjithë krahinën. Skënderija kishte qënë ushtarake, por pas reformës në Ushtri kishte nisur të punonte si mësuese letërsie në shkollën 9-vjeçare publike.

-          Naim do kesh kohë për një kafe?

-          …me gjithë qejf Skënderije por…- dhe i tregoi valixhet e mbushura.

-          Nuk të mbaj shumë. E mësove besoj për humbjen e Verorit?

-          Po, po. Madje nesër do vij edhe në pasditen poetiko-epike.

-          Për këtë të doja. Ti ke pasur diksion shumë të mirë në rini. Doja të dëgjoje disa pjesë të poemës dhe nëse do jetë e mundur t’i recitosh me zërin tënd burrëror.

-          …Skënderije…duhet të më kuptosh…ato ishin vite të gjimnazit dhe nuk kam recituar më. Po vij për kafe dhe do dëgjoj disa pjesë të poemës, por nuk mundem të recitoj, sidomos në një ngjarje kaq madhore.

Kaq i mjaftoi poeteshës dhe e tërhoqi për krahu drejt verandës të kafe-barit “Gugukafe”. U ulën dhe ajo porosity dy kafe të gjata, dhe nxorri nga çanta disa fletë të shkruara me dorë.

-          Naim ti je një profesionist me shije në letërsi dhe duhet ta dish, që je i pari pas tim shoqi që po e dëgjon poemën e papërfunduar- dhe pasi krroi zërin filloi:- E kam menduar me varg aleksandrin për t’i shtuar dramaticitetin dhe për ta bërë pjesë të eposit shqiptar. Titullohet “Rron o rron, nuk vdes Verori!”:

Ti u linde Veror në ato kohë të rënda,

Kur i keq’ Diktator, bënte ç’i kish ënda,

Kur valësh të egra, të luftës klasore

Ti dole i pari në shkollën fillore.

 

I thurre ti ënd’rrat për tregun e lirë

Që njer’zit të shisnin c’ju bëhej më mirë,

N’këmbimet e fshehta dole i dalluar,

Ndaj të përndoqën, i persekutuar…

-          Skënderije po mos ishte më mirë të përmendej shkollimi i mëtejshëm i Verorit. Mos mbetej vetëm tek “i pari në shkollën fillore”?

-          Po vetëm filloren kishte mbaruar Verori. Nuk e lanë të vazhdonte më tej se ja kalonte djalit të Sekretarit të Parë.

-          Nuk e dija këtë. Por kjo e këmbimeve të fshehta mos tingëllon pak si kontrabandë? Ndoshta për reputacionin e Verorit si biznesmen nuk është shumë e qëlluar.

-          Përkundrazi tregon se ai ishte disident dhe i përkushtuar ndaj Ekonomisë së Tregut.

-          Po ç’farë këmbente?

-          Flori, valutë, lesh të gjatë dhe lesh qëndër, kafe…këto ishin mallrat që shkonin  në kohën e Diktaturës. I kam përmëndur më poshtë…apo do të vazhdoj me pjesën kur punonte për Sigurimin e Detit të Zi?

-          Më mirë me këtë nismën ndërkombëtare.

-          Ti kishe ideale, jo gjithshka për pare

Tej hodhe vështrimin tem’s ndërkombëtare

Që popujt sëbashku të ishin në liri

Mbështete ti nismën për Detin e Zi.

 

Mund të ish’ i Ziu, mund të ish i Bardhi,

Fiko Fufulina, bash pas teje ardhi.

Bashkë në beteja, bashkë në çdo orë,

Për Bredhishtën tonë, dy triumfatorë…

Poetesha vazhdoi të lezonte dorëshkrimin e saj, ku përmëndeshin nënkryetari i Bashkisë, Hëna e gjatë, Baba Raimondi dhe Gugu Gurgullima, por mjeku Naim Hana nuk po e dëgjonte më. Në mendje po i shkonin edhe tre ditë të tjera të humbura, që nuk do mundte të bënte dot asgjë për lejen e ndërtimit. Ndërkohë, Skënderije Turku kishte mbaruar së lexuari fletët dhe e pyeti:

-          Si të duket Naim?

-          Shumë epike. Tamam për pasditet e hashures!- dhe u ngrit nga tavolina e filloi të hiqte zvarrë valixhet e tij me rrotulla, ndërsa poetesha nuk arrinte të kuptonte nëse gjinekologu kishte arritur të prekte dot gjithë heroikën e vargjeve të poemës së saj, kushtuar biznesmenit Veror Voloreka, që sa ishte ndarë nga jeta e tij epike.

 

No comments:

Post a Comment