Nuk kisha qënë në Tiranë, që në pranverën e vitit 2004 dhe e gjeta të ndryshuar. Përgjithësisht për mirë, me gjithë problemet e mëdha të qarkullimit rrugor dhe thjeshtimit të sipërfaqeve publike, sidomos të lulishteve të lagjeve. E megjithatë më duhet të them se nga ana arkitekturore, hapat përpara ishin të mëdha. Ndërtime me shije gjen kudo, duke filluar me zonat industrial-tregëtare përgjatë rrugës Vorë-Tiranë dhe deri tek banesat kolektive shumëkatëshe.
Problemin më të madh nga ana urbanistiko-arkitekturore në
Tiranë e ka krijuar zgjidhja tepër e gabuar e sheshit Skënderbej. I konceptuar si
një piramidë me një pjerrësi të lehtë, ndoshta për shkak të dëshirës për të
krijuar një parking makinash poshtë tij, sheshi kryesor i Tiranës dhe i Shqipërisë
ka humbur kuptimin e tij, si një shesh ku zbresin njerëzit dhe zhvillohen një sërë
veprimtarish shoqërore, politike dhe kulturore. Në vend që nga të gjithë rrugët
të zbresësh në shesh (që është konceptimi mijëvjeçar i “agora”), njeriu zbret
dhe për të shkuar në zemrëne tij duhet të ngjitet. Edhe pse pjerrësia është e
lehtë dhe dikujt mund t’i duket e papërfillshme, psikologjikisht sheshi i mirënjohur,
sipërfaqja e të cilit u hap edhe më shumë me prishjen e ndërtesës të Komitetit
Ekzekutiv në fillimin e viteve ’80, është denatyruar.
Por e keqja më e madhe
(nuk di nëse ky ka qënë synimi i autorëve) është se me rritjen e lartësisë
të të gjithë sheshit (në mos gaboj duhet të jetë diçka më shumë se 2 metra) janë
“shtypur” vizualisht të gjithë ndërtimet kryesore që e kanë formuluar sheshin
dhe që përgjithësisht kanë qënë ndërtime të arritura. E kam fjalën për Bankën
Kombëtare, Pallatin e Kulturës, Bashkinë, Ministritë, Muzeun Kombëtar dhe
banesat kolektive 4-5 katëshe. Të gjitha janë më pak impozante, të
dimensionuara jo mirë për këdo që kalon ose qëndron në shesh. Dhe është më se e
kuptueshme se proporcionet dhe konceptimi i tyre vëllimor është bërë për një
tjetër nivel 0.
Shvlerësimi urbanistiko-arkitekturor i objekteve të sipërpërmendura
kërkon nga ana vizualo-hapësinore të tjera vëllime, më vertikale dhe që mund të
shërbejnë si ankora vizive për syrin e qytetarit. Ndaj ndërtimi i objekteve 20,
30 e më shumë katëshe përreth sheshit “Skënderbej” tani është domosdoshmëri. Me
këtë nuk dua të justifikoj “monstrat” që po ndërtohen tek ish-agjensia e
autobuzave apo në pjesën perëndimore të sheshit. Ato janë shëmbull tipik i babëzisë
së investitor-nëpunësve për të pasur fitime maksimale në një sipërfaqe të
caktuar dhe kolaboracionizmit të arkitektëve, që tani janë më shumë firma të
huaja të korruptuara nga grupi drejtues i këtij vendi. Por sheshi i ngritur
shumë keq, me deformimin që i ka bërë gjithë hapësirës përreth e ka të
domosdoshme të ketë “qiellgërryese” elegante. Në të kundërt, hapësira e tij stërmadhe
për një qytet me më pak se 800 mijë banorë do vazhdojë të sjellë një disbalancim
vëllimor shumë të pakëndshëm për syrin e qytetarëve të Tiranës.
Sheshi , që u kthye në kodër, i pompuar me propaganda
nacionaliste të gjoja gurëve të sjellë nga e gjithë Shqipëria është dështimi më
i madh në arkitekturën e Tiranës, që prej kurimit të “epidemisë“ së kioskave.
Figura e Ramës me sëpatë në dorë, si simbol i mospajtimit me shëmtimin e
kioskave, tepër anakronike edhe për kohën, është personifikimi më i mirë se ç’mund
t’i sjellë qytetit një lakmitar që kujton se di, kur i pret sëpata në të dy
krahët.
No comments:
Post a Comment