Monday, 28 February 2022

Burri i shkurtër i tavolinave të gjata


Për dy dhjetvjeçarë, Vladimir Putin u paraqit jo vetëm nga mediat ruse, por edhe ato botërore, si një gjeni racional i politikës. I vlerësuar për vetëpërmbajtje, deklarata të mençura në shtyp dhe vëmendje ndaj hollësive në gjithë bisedimet me krerët botërorë, gati u harruan manitë dhe komplekset e tij. Sigurisht këto u shtuan gjatë viteve të sundimit të tij, si ndodh rëndom me Diktatorët.

Duket qartë se Putin ka atë që në botë cilësohet si “kompleksi i Napoleonit”. Eshtë sjellja dominuese dhe agresive e burrave të shkurtër, që mundohen me sjellje të kompesojnë ndjenjën e inferioritetit të krijuar nga gjatësia. Tashmë gjithnjë e më shumë po e demonstron duke përdorur në daljet televizive tryeza jashtëzakonisht të gjata, qesharake, dhe të ftuarit i vendos në skajin më të largët të tryezës. Për t’ju imponuar frikë dhe për t’I dhënë vetes madhështinë që nuk e ka. Këtë e bëri jo vetëm me presidentin francez dhe kancelarin gjerman, por edhe dje me dy këshilltarët e tij të luftës.

Paranoja, një tjetër cilësi e përhershme e diktatorëve po shfaqet gjithnjë e më shumë. Eshtë e kushtëzuar nga që po mbush 70 vjet, nga ndonjë sëmundje që mbahet e fshehtë nga Kremlini apo nga përpjekje të njerëzve rreth tij për t’i bërë atentat, kjo është diçka që mund të mësohet pas daljes së tij nga skena. Ajo që duket qartë prej kohësh është se Vladimir VladimiroviçI do të vdesë në fron. Të vdesë në fron dhe mundësisht të duket sa më i freskët në fytyrë duke mbushur rrudhat me botoks.

Edhe pse n[ dhjetvjeçarin e fundit ka shumë udhëheqës autokratë përreth botës, e ardhmja nuk është e tyre. Solidarizimi botëror kundër Putinit është dëshmi e saj.

A paraqet rrezik që njeriu me kompleksin e Napoleonit të përdorë arsenalin bërthamor?

Dukke mos i besuar më shëndetit mendor të Putin, them se njerëzit përreth nuk do e lejojnë. Para se Vladimir Vladimiroviç të urdhërojë shtypjen e butonit për aktivizimin e raketave nukleare, dora e arsyes ruse do e ndalojë, ashtu si ndaloi dikur edhe Bonapartin pas marrjes së Moskës.

No comments:

Post a Comment