Wednesday, 9 February 2022

Arkitektura e katedrales “Ringjallja”


Sa herë shoh fotot e qëndrës së Korçës, më saktësisht të sheshit para Katedrales ndjej një peng të hershëm. Arkitektura e kishës nuk shkon as si vëllim, as si arkitekturë dhe as me kohën kur është ndërtuar. Kam dashur dikur të bëja diçka për ta ndalur, por historia e ndërtimit të saj dhe mënyra e zgjedhjes së projektit i kalonte fuqitë e mija argumentuese profesionale. Sa më shumë kalojnë vitet aq më shumë ndjej se u bë një gabim, i cili vështirë se do mund të korrigjohet edhe për shumë dhjetvjeçarë a ndoshta edhe shekuj. Eshtë dëshmi e vendimeve urbanistike të nxituara, të detyruara nga shkaqe jo profesionale dhe nën trysninë e faktorëve shoqërorë dhe politikë që kanë pak të bëjnë me arkitekturën.

Dëshira e mirë e Kishës Ortodokse dhe besimtarëve të Korçës për të patur një kishë të madhe kishte gjetur mbështetjen në fonde diku jashtë Shqipërisë, ndoshta mes donatorësh grekë, sepse vetë kisha autoqefale shqiptare ishte ende shumë e dobët. Përpjekjet ndoshta kishin fillluar me ardhjen e Janullatosit, por në vitin 1993 ishin më të konkretizuara dhe të mbështetura në projekt dhe në fonde. Korça ishte qyteti ku ishin prishur më shumë kisha. Katedralja e Shën Gjergjit ishte shembur në vitin 1968, ndërsa ajo e Burimit Jetëdhënës ishte kthyer në Muze të Arsimit Kombëtar.

Trualli i ndërtimit që u miratua në Këshillin e Rregullimit të Territorit ishte në lulishten “Vangjush Mio”. Disa javë pas miratimit pati një reagim nga njerëz të lidhur me politikën dhe me Bashkësinë Myslimane të Korçës, për ndryshimin e vendit sepse atje më parë kishin qënë banesa dhe prona të familjeve që i përkisnin aasj bashkësie dhe jo asaj ortodokse. Në të njëjtën kohë objekti afrohej shumë me xhaminë e Mirahorit dhe me zonën e banuar tradicionalisht nga bashkësia myslimane. Diskutimet ishin bërë në qarqet më të larta shtetërore në Tiranë dhe ishte sugjeruar të gjendej një zgjidhje tjetër. Pas disa takimesh, KRRT miratoi si vendvendosje truallin ku është ngritur tashmë Katedralja.

Miratimi i pjesës ku do ndërtohet një objekt është njëra anë e problemit. Kishte rezerva nga ana e disa specialistëve të urbanistikës dhe arkitekturës, sepse vëllimet ekzistuese ishin të gjitha të vogla dhe i përkisnin një zone muzeale, gjë që do vështirësonte zgjidhjen vëllimore dhe arkitekturore të katedrales. Zgjidhje të tilla delikate kërkojnë impenjim të arkitektëve me shumë përvojë. Për fat të keq mes arkitektëve shqiptarë nuk kishte të tillë që mund të projektonin tempuj. Për shpejtësi dhe për shkak të mbështetjes që jepte kisha greke dhe dhuruesit privatë të lidhur me të, pritej që projekti të bëhej në një studio greke.

Nuk di nëse studioja greke kishte parë vendin ku do ndërtohej Katedralja dhe nëse njihte arkitekturën e Korçës, ose po përdorte një projekt të gatshëm të zbatuar diku në Greqi. Fakt është që kur do jepej leja e ndërtimit, disa nga ne arkitektët ngritëm shqetësimin për vëllimin dhe mospërputhjen me arkitekturën e Korçës.  Në një takim të ngushtë me kryepeshkopin Janullatos, ku merrnin pjesë disa arkitektë dhe inxhinierë unë e theksova këtë fakt, por dukej që Janullatos edhe pse me njohuri nga arkitektura ishte më I interesuar si administrator, që projekti të merrete udhë dhe të fillonte zbatimi. Katedralja për mendimin tim të asaj kohe ishte një ndërtim pa elegancë, i proporcionuar jo bukur dhe mbi të gjitha që nuk të kujtonte asgjë të Korçës. Do kisha parapëlqyer diçka më moderne, më pak pompoze dhe shembuj të tillë ka shumë në arkitekturën e kishave ortodokse të shekullit të XX.

(vijon)

No comments:

Post a Comment