Tuesday, 1 March 2022

Paralelelizmat e gabuara historike


Nga profesionistë dhe amatorë, gazetarë dhe politikanë, janë bërë shumë paralelizma historike mes Luftrave Botërore dhe liftës së Putinit ndaj Ukrainës. Krahasimet e tij me Hitlerin janë të shumta, pasiviteti i Perëndimit krahasohet me Konferencën e Mynihut dhe shpesh i rëndohet idesë se përsëritet historia që prej Perandorive Ruse dhe asaj Sovietike.

Ngjashmëritë janë shumë më të vogla se sa ndryshimet.

Mbi të gjitha, e rëndësishme është t’i referohesh psikologjisë të përgjithshme të masave dhe të elitave para luftërave botërore në Europë.

Në fillimin e Luftës së Parë, jo vetëm shtypi proqeveritar në të gjitha vendet e quajtur Fuqitë e Mëdha ishte nacionalist. Shumë prej shtresave të përparuara të shoqërive të vendeve, e konsideronin luftën si një fenomen të domosdoshëm, pastrues dhe rigjenerues të kombeve dhe të marëdhënieve mes popujve. Mbizotëronte psikologjia pro-luftë.

Në pragun e Luftës së Dytë, jo vetëm ishte e pranishme një ndjenjë e fortë revanshizmi në gjithë shoqërinë gjermane, por Gjermania po kalonte një rigjallërim ekonomik në sajë të çlirimit të energjive nacionaliste të trumbetuara nga Hitleri dhe nazistët. Në përfundimin e shpejtë të betejave ndaj Vendeve të Ulëta dhe Francës, rrugët e Berlinit ishin të mbushura me turma histerike gjermanësh, të cilët shtruan me lule gjithë rrugën nga kalonin makinat e udhëheqësve nazistë. Më pas, ata dhe e gjithë bota panë se ku i çoi ajo histeri.

Njerëzimi i ka nxjerrë mësimet e tij nga Luftërat Botërore. Edhe pse mund të ketë interesa gjeopolitike, të cilat ashpërsohen dhe çojnë në konflikte, edhe pse mund të ketë diktatorë, nuk ka më elita prolufte, nuk ka më masa të dehura nga droga e nacionalizmit që të shpien në konfliktet e shekullit të kaluar.

Kjo është garancia kryesore, që nuk ka për të pasur një Luftë të Tretë!

Ndaj dhe paralelizmat janë jo vetëm të gabuara, por edhe panikndjellëse dhe nuk i shërbejnë kërkujt.

No comments:

Post a Comment