Sot u përcoll në banesëne e fundit Kadrije Kadare, motra e Ismailit, që si ka qënë e zakonshme në Gjirokastër, e thërrisnin Kaku.
Si çdo thashethem rreth Ismailit, në kohën kur isha student,
qarkulloi edhe fjala se e motra e Kadaresë fliste kundër regjimit dhe Is ishte
detyruara të mos e pranonte në shtëpi. Nuk di pse më ishte krijuar përshtypja që
motra beqare e Kadaresë punonte në Spitalin e Tiranës. Nuk di as sot se ku ka qënë
në atë kohë dhe më vonë kam mësuar se pas viteve ’90 ka punuar si korrektore letrare
në shumë gazeta dhe revista shqiptare.
Tani, që e ndjera Kako u largua nga jeta u hapën sërish
historitë e saj me regjimin dhe kryesisht me Enver Hoxhën, për të cilin në
Tiranë flitej nën zë më shumë se në qytetet e tjera. Në Tiranë kishte më shumë
njerëz nga e gjithë Shqipëri, më shumë pushtetarë dhe kundërshtarë të
pushtetit, më shumë studiues dhe libra e gazeta ku mund të gjeje të fshehta
rreth jetës së Diktatorit. Kuptohet që gjirokastritët dinin më shumë rreth
familjes së Hoxhës dhe të bërave dhe të pabërave të tij në fëmijëri dhe në
rini. Për ta ishte më e lehtë t’i hiqnin aureolën që i kishte vënë propaganda
shumëvjeçare.
Të tilla ka treguar Kadrije Kadareja në atë rreth të ngushtë
shoqesh, një pjesë të të cilave i arrestuan dhe njoftuan njëkohësisht edhe
Ismailin se ç’bënte e motra me kërcënimin “Po
të mos ishte motra jote do ishte arrestuar!”
Po pse nuk u arrestua Kadrije Kadareja në vitin 1979-1980?
Nuk është e vështirë t’i përgjigjesh, sepse Ismailit ja thanë
në Komitetin Qëndror, kur e thirrën.
Arrestimi i Kadrijes do kërkonte si minimum përjashtimin e
Ismailit nga partija dhe ndoshta edhe heqjen nga qarkullimi të veprës së tij.
Ishin vitet më të egra të terrorit dhe më 1978, posa ishte bërë lëshimi i madh
nga Enver Hoxha për vjershën “Në mesditë u mblodh Byroja Politike” (“Pashallarët
e kuq”) Ishin vitet më të vështira të Ismailit, i cili si mbrojtje kishte
Mehmet Shehun dhe disa të tjerë, por kryesisht veprën e tij dhe në mënyrë të veçantë
“Dimri i madh”. Ishte kjo arsyeja që Enver Hoxha nuk donte “të lante hesapet”
me Ismailin dhe shpëtoi edhe Kakunë nga burgu. Hoxhës nuk i bëhej vonë për “zhurrmën”
që mund të krijohej jashtë vendit për heqjen nga qarkullimi të veprës së
Kadaresë.
Ndaj edhe këshilltarët e tij në KQ i sugjeruan Ismailit t’i shkruante
një letër Enverit ku dënonte fjalët e së motrës dhe spjegonte njëkohësisht se
nuk vinin prej tij. Letra deri diku është e justifikuar, sepse edhe frika e
Kadaresë në ato vite ka qënë e madhe. Por që ishte pranë pushtetit ai e pranon
pa dashje edhe në një intervistë të tij të viti 2017 “U çudita që kishte kohë që e hetonin dhe mua nuk më kishin thënë gjë“ Në
atë kohë nuk ju thuhej të afërmve se po ju hetonin njerëzit e familjes për
agjitacion e propagandë. Përjashtim bënin vetëm njerëzit me shumë lidhje me udhëheqjen.
Kakuja u largua nga jeta e vetme, sikundër kishte jetuar për shumë e shumë vite. Për fat të mirë mbiemri e shpëtoi nga mundimet e burgut. Tani prehet e qetë, atje ku nuk ka as diktatorë, as gjenij dhe as korrektorë letrarë. Në Mbretërinë e të Barabartëve.
No comments:
Post a Comment