Monday, 21 February 2022

A do i djegin inceneratorët “plehrat”?


Pas shumë e shumë artikujsh në shtyp, diskutimesh ne kanalet televizive, hetimesh nga komisioni parlamentar dhe SPAK-u, një pyetje mbetet në mendjet e shqiptarëve:

A do i djegin incerenatorët “plehrat”?

Të gjithë e kanë të qartë se është një vjedhje e guximshme, e babëzitur dhe deri diku marroke e një grupi të madh qeveritarësh dhe njerëzish të lidhur me ta. Dimensionet e mëdha të vjedhjes dhe guximi të bëjnë të dyshosh se Edi Rama është pjesë e kësaj afere. Një mikromanaxhues si ai, që kujdeset edhe se kujt do i shkojnë dhuratat për ditlindje, se cilët personalietete do marrin pensione speciale e plot të tjera të ngjashme, nuk ka se si të mos jetë “ngjyer” në këtë skemë të madhe përvetësimi të fondeve publike.

Pra nuk bëhet më fjalë nëse Rama, Ahmetaj, Veliaj, Agaçi, Koka, Bllako e ndonjë tjetër ka vjedhur në bashkëpunim me Mërtirin, Gugallen dhe Zoton. Eshtë fjala n[se incerenatorët që nuk djegin plehra, sepse nuk janë ndërtuar plotësisht do djegin dot këta njerëz “plehra” apo do mjaftohen vetëm me përzhitjen e ndonjë funksionari të ulët.

Në gjithë këtë aferë janë përzjerë edhe pronarët e Top Channel dhe Ben Blushi. Ju duhej që një nga mediat më të fuqishme të mosbëzante për këtë grabitje të llahtarshme. Nuk besoj se mund të kenë përfituar kryetarët e bashkive të Elbasanit, Fierit dhe Durrësit, sepse janë shumë të vegjël për të marrë ndonjë “llokmë“ të këtij biznesi të qeverisë qëndrore. Ndaj edhe disa nga pushtetarët lokalë janë arrogantë në qëndrimet e tyre ndaj Komisionit Parlamentar. Kanë idenë se me që s’kanë futur gjë në xhep dhe se kanë paguar se ju kanë dhënë urdhër nga lart, janë të mbrojtur.

Ndoshta edhe janë. Nuk dihet se për ç’arsye skandalet e incineratorëve nuk hetohen bashkërisht, por të ndara dhe nga dy prokurorë të ndryshëm. Çështja është e qartë se bëhet fjalë për të njëjtit njerëz, të njëjtat kompani dhe skema të njëjta. Një grup njerëzish në kryeministri kanë pasur idenë të përqëndrojnë biznesin e plehrave në duart e tyre dhe kanë lënë dy miq shqiptarë të ngrenë një kompani në Hollandë me 50 mijë euro kapital dhe t’i japin koncensionet për dhjetra miliona euro. Nuk ka asgjë të komplikuar. Një skemë e thjeshtë përfitimi e lehtësuar edhe nga fakti se opozita ishte jashtë parlamentit.

Dy muaj më parë mendova dhe shkrojta se “tigri” Ahmetaj do digjej në incenerator. Nëse kjo nuk ndodh dhe nëse qeveria nuk bie brenda këtij viti, atëhere do të thotë se i gjithë vendi është një “landfill” i ndyrë, që kutërbon nga kreu e deri në fund dhe që duhet emërtuar jo më Zululand apo Albanistan, por Garbageland.

 

No comments:

Post a Comment