Wednesday, 9 February 2022

Arkitektura e Katedrales "Ringjallja" (fund)


 (vijim)

Gjithsesi pata kuptuar që në lojë ishin çështje shumë të ndjeshme të rivendosjes së besimeve fetare, të marëdhënieve me shtetin fqinjë dhe me një ekuilibër të domosdoshëm mes bashkësive fetare. Isha i ndërgjegjshëm edhe për qëndrime vulgare të bashkësive si: “Nuk ka pse ta vendosin karshi nesh!” ose “Ja nuk deshin atje , tani e kemi mu në mes të Korçës!”, a thua se “kontrolli” mbi qytetin do arrihej nga vendosja e Katedrales apo nga simbolet e Kryqit dhe Gjysmëhënës.

Bindja ime profesionale mbetej se në arkitekturën kishtare ne po bënim hapa prapa nëse krahasonim Katedralen e Re me atë të Shën Gjergjit të përuruar më 1905, apo edhe me Kishën e Sotirit të ndërtuar në mesin e viteve ’20. Diçka nuk shkonte në gjendjen kulturore të bashkësisë së Korçës. Po aq edhe në ndikimin e profesionistëve.

Një nga mospërputhjet kryesore të Katedrales me arkitekturën e gjysmës së dytë të shekullit të XX është “mbyllja” e saj ndaj dritës dhe mjedisit në përgjithësi. Mungesa e portikëve, e njohur në monumentet e sektit ortodoks në Shqipëri e bëjnë gjithashtu më të mbyllur dhe më të rëndë vëllimin. Vetëm dy vite më parë në Shkup ishte përuruar Katedralja e Madhe, një vepër interesante e arkitekturës moderne kishtare, e cila ishte e projektuar që në vitin 1972 nga arkitekti maqedinas Brezoski. Në të bien në sy hapësirat e ngjashme me portikët, por të konceptuar në një mënyrë mjaft modern. Shembuj të kishave ortodokse me arkitekturë më të stilizuar dhe më të kohës ka patur dhe ka në Greqi, por çuditërisht ishte zgjedhur një projekt shumë i zakonshëm, që pa e tepruar mund ta quash edhe anakronik.

Nuk dua të zgjatem me hollësitë arkitekturore dhe materialet e përdorura të cilat gjithashtu lenë për të dëshëruar nga pikpamja e harmonizimit me ato të qytetit, si dhe të kohëve modern. Nëse veçon një kambanare dhe e analizon nga mënyra e konceptimit, e ritmit dhe e proporcioneve, të kujton gabimet fillestare që hasen në projektet e studentëve të arkitekturës.

Për të gjitha ç’ka rrjeshtova më sipër arkitektura e Katedrales “Ringjallja” le shumë për të dëshëruar dhe nuk vlen as të hulumtosh se cila ka qënë studioja e projektimit, e cila ka hartuar projektin. Ndoshta edhe në Greqi, sikundër në vendet e Lindjes, ekzistojnë firma projektimi të privilegjuara, me lidhje me shtetin ose me institucione të fuqishme, si është në këtë rast Kisha Ortodokse. E them me bindje që një projekt i tillë nuk do kishte kaluar dot në vitet ’30, kur opinioni publik i Korçës ishte më i kulturuar, më kritik dhe shumë më i pavarur nga politika dhe faktorët e tjerë jo profesionalë.

Mesa tyre që ngritën dorë në miratimin e Lejes së Ndërtimit jam dhe unë, i ndërgjegjshëm që po gaboja jo pak.

 

Shënim: Në foto Kisha e Shën Gjergjit në Korçë e përuruar më 1905

No comments:

Post a Comment