(vijim)
·
Faza e tretë është lufta e çetave dhe batalioneve shqiptare me mbështetjen e anglezëve.
Pranvera e vitit 1943, në mënyrë të veçantë pas kapitallimit
të armatës gjermane në Stalingrad shënon luftimet me armë kundër ushtrisë
italiane, tashmë të dobësuar edhe nga humbjet në fushatën kundër Bashkimit
Sovjetik dhe luftimeve në Afrikë. Për të mos treguar nihilizëm ndaj
patriotizmit shqiptar duhet thënë se lufta nuk mund të organizohet pa mundësi
financiare dhe pa armë. Deri në atë kohë asgjë nuk vinte nga jashtë vendit,
qoftë nga aleatët apo nga “qeveria në mërgim”, që po prishte pjesën e thesarit
që kishte marrë me vete. Ndaj të vetmet mundësi financimi ishin ato ç’ka
mblidheshin nga shtresat e pasura të shqiptarëve brenda vendit, të cilat është
e vështirë të sigurohen nëse nuk ke një organizim të fortë dhe të besueshëm.
Në muajt e pranverës së vitit 1943 u vu re një rritje e
formacioneve luftarake kundër pushtuesve, kryesisht në krahinat e jugut dhe në
zonat e thella malore, ku mungonte kontrolli nga shteti kukull shqiptar dhe
ushtria italiane. U kryen disa aksione të suksesshme ndaj postave të karabinierëve
dhe shumë zona konsideroheshin si zona të lira në Labëri, Skrapar, Kolonjë ,Korçë,
Çermenikë etj. Edhe me operacionet spastruese të italianëve, këto zona
mbeteshin jashtë autoritetit të administratës së Tiranës. Kjo ngjalli edhe
interesin e anglezëve të cilët dërguan misionet e tyre për të parë dhe
ndihmuar, si dhe nisën të dërgonin florinj dhe material ushtarake për çetat
shqiptare të frontit dhe ato nacionaliste. Kjo solli edhe bindjen se mund të
organizohet një ushtri shqiptare me formacione luftarake më të mëdha dhe si
rrjedhojë u formua Brigada e Parë në fund të gushtit 1943, ndërkohë që fashizmi
italian ishte në krizë të thellë. Një muaj më parë ishte arrestuar Musolini dhe
në krye të qeverisë italiane ishte gjenerali Badolio. Disa javë para arrestimit
të Musolinit, Aleatët kishin zbarkuar në Siçili.
Ndaj pavarësisht nga propaganda e madhe e kohës së Diktaturës,
për “luftën legjendare të partizanëve”, duhet të pranojmë se lufta ndaj
pushtuesve italianë ka nisur shumë vonë, nëse i referohemi 7 prillit 1939 si
data e pushtimit. Luftimet ndaj Italianëve janë zhvilluar kryesisht në një
periudhë prej 6 muajsh dhe u itensifikuan, në kohën ku si e cilësonte Shefqet
Musaraj “Na ngordhi kali/ I rranë thonjtë…”.
Pa dashur të minimizoj ndjenjat atdhetare dhe përpjekjet e rinisë shqiptare për
të patur një Shqipëri të lirë, kushtet ishin të tilla që nuk mund të
organizohej një luftë e armatosur. Mungonin dy kushtet kryesore për organizimin
e një ushtrie: mjetet financiare dhe autoriteti politik që mund të mbledhë
rreth vetes forcat atdhetare. Boshllëku i këtij të fundit krijoi mundësinë që
një grup i përzjerë idealistësh dhe oportunistësh të krijonin në fundin e vitit
1942, një organizim të quajtur Front, i cili nisi të propagandojë nevojën për të
nxjerrë jashtë vendit me luftë të huajt.
Ndaj edhe në Konferencën e Paqes në Paris ne nuk mund të
rrjeshtoheshim me fituesit, por na u rezervua vetëm vendi i shteteve asnjëanës.
No comments:
Post a Comment