Sunday, 20 February 2022

Mbrëmja e 20 shkurtit 1991


Gjithshka ishte mbyllur. “I paprekshmi” ishte rrëzuar, por jo sa ishte gjallë. Kishte “mbretëruar” për 41 vjet të plota, duke prerë dhe vrarë, duke qënë në situata të vështira vetiake, por duke manovruar pa humbur as edhe një ditë të vetme “plotfuqishmërinë“. Kur kishte vdekur, sipas porosive të tij, nuk e patën balsamosur, por i ngritën tre përmendore stërmëdha në tre qytetet ku kishte jetuar-Gjirokastër, Tiranë dhe Korçë. Nëse do kishte qënë më ambicioz për pasvdekjen mund të kishin emërtuar edhe Tiranën Enverqytet. Çdo gjë mund të ndodhte se aq lart ishte ngritur kulti i tij, sa propozimet më marroke vinin edhe nga njerëzit e thjeshtë, që ndjeheshin të pasigurt se si mund t’ju shkonte jeta pa të.

Nismat popullore pasi vdiq krijuan zimbajtje të papara ndonjëherë në historinë e vendit. Në disa qytete ndalën fejesat dhe dasmat për një vit. Propaganda e pandalshme për 41 vjet e shoqëruar me izolimin e plotë 24 vjeçar e kishin bërë të tyrenn. Shumica e njerëzve ngashëreheshin si nuk e kishin bërë as për vdekjet e familjarëve. Mbi atë histeri kolektive u morën vendimet për të bërë të paharrueshme figurën e tij “poliedrike”.

Kishte rënë mbrëmja e 20 shkurtit dhe ata që e kishin hequr zvarrë shtatoren e tij prej bronxi në bulevardin kryesor të qytetit kishin shkuar nëpër kafene për të festuar, ose në shtëpi për të parë kronikat televizive të asaj që kishte ndodhur në Tiranë. Dola të takoja disa miqtë e tij, sepse nuk më mbante vendi pas asaj ngjarje që donim të ndodhte, por nuk e prisnim aq shpejt. Pas më ndoqi ime më, si gjithnjë me frikën se mund të më ndodhte diçka dhe ajo do mund të më mbronte. Zbritëm deri në sheshi para Turizmit, ku e kishin lënë të braktisur njeriun prej bronxi. Vetëm dy fëmijë kishin hipur dhe përmirnin mbi të. Buzëqeshëm dhe u kthyem të bënim një “xhirro” për të takuar ndonjë të njohur e të ndanim gëzimin me të. Nuk kishte shumë njerëz që shëtisnin, si është e zakonshme për një mbrëmje të ftohtë shkurti në Korçë. Ishin vetëm njerëz si ne, të ngazëlluar nga “e pabëra”. Takuam një çift miqsh dhe u përqafuam duke thënë “e po më në fund!” Frika kishte kohë që ishte vrarë e megjithatë asgjë nuk ishte e sigurt në një vend ku grupe njerëzish të ashpër dhe fanatikë kishin sunduar gjatë.

U kthyem nën disa drita që dukej se shkëlqenin më shumë se më parë. Në drekë në Tiranë dhe në darkë në Korçë e patën zbritur nga froni I përjetshëm Sundimtarin. Nuk ishte pak! Edhe pse nuk e kishim zbritur dot sa ishte i gjallë. Ndoshta ishim një popull thellësisht i trembur, ose një popull i vogël që nuk na ndihmonte kush për ta bërë më parë. E megjithatë nuk ishte vonë sidomos për brezin tim, që sa kishte kaluar të ’30-tat. Jo për prindërit tanë të shkretë, që kaluan 45 vjet nën Diktatorin më të egër të Europës.

Atë mbi të cilin përmirnin dy fëmijë atë mbrëmje të 20 shkurtit të vitit 1991.

No comments:

Post a Comment