Më tepër se nga dëshmitë e bashkëkohësve dhe nga librat e historisë, se si filluan përpjekjet e armatosura kundër italianëve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, mund ta mësosh në shtypin shqiptar dhe të huaj të kohës. Edhe pse shtypi vendas kontrollohej nga kolaboracionistët, nëse ngjarjet krahasohen me ato ç’ka shkruheshin në gazetat greke, jugosllave dhe të kundërshtarëve të tjerë të Italisë fashiste, krijon një përshtypje të saktë se kur patriotët shqiptarë nisën të vepronin me armë kundër pushtuesve.
Komunistët kanë qënë ata që falsifikuan më shumë se çdo grup
tjetër historinë e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Ata jo vetëm i atribuan
çdo rezistencë pasive apo të armatosur, grupeve komuniste dhe më vonë Partisë
Komuniste, por heshtën plotësisht ndaj përpjekjeve të grupeve të tjera, ose
edhe ndaj mirëpritjes, që ju bë pushtuesve nga një pjesë jo e vogël e popullsisë shqiptare.
Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri kaloi në disa faza:
·
Faza e
parë ishte ajo e konfuzionit midis asaj nëse është i mirë pushtimi apo i keq për
Shqipërinë.
Regjimi i Zogut kishte krijuar pakënaqësi në shumë shtresa
të shoqërisë shqiptare. Me pushtimin italian u kthyen një pjesë e madhe e
kundërshtarëve të Zogut, të cilit ishin dënuar në mungesë me vdekje ose me
burgime të gjata. Më të shumtit e tyre zunë poste të rëndësishme në administratën
e re. Këta ishin njerëz të shkolluar dhe të pasur, të cilët kishin ndikim të
madh në krahinat e tyre, ndaj edhe shumë shtresa të lidhur me ta shihnin një
anë pozitive të pushtimit italian.
Komunistët e grupeve e kishin shprehur edhe më parë se një
pushtim italian duhej parë si i rëndësishëm për “revolucionin e ardhshëm” pasi
do zhvillohej industria dhe me të edhe proletariati, që mungonte në Shqipëri. E
vërteta është që shumë të rinj anëtarë ose simpatizantë të grupeve komuniste
shkuan për studime në Itali dhe nuk u prekën nga Italianët. Kishte emra nga më
të njohurit si Qemal Stafa dhe Nako Spiru, si dhe shumë të tjerë. Ata që u
internuan nga Italianët gjatë vitit 1939 ishin kryesisht nacionalistët e njohur
dhe rrallë gjen mes emrave të të internuarve ndonjë komunist.
Tregëtarët e mesëm dhe të vegjël e shihnin me sy të mirë
pushtimin italian, se me të pati një gjallërim të madh të ekonomisë së vendit.
Edhe shtresat më të varfëra, burrat e familjeve të të cilave filluan të punësohen
në punët ndërtimore, që hapën italianët, nuk kishte pse të ishin të pakënaqur
nga regjimi i ri në Shqipëri.
Kjo fazë vazhdoi gjatë me hije dyshimi dhe simpatije për
pushtuesit italianë, sidomos pas hyrjes në luftë të Anglisë dhe Francës me
Gjermaninë dhe më vonë pas pushtimit të Jugosllavisë nga forcat hitleriane. Përkrahësit
e italianëve në Shqipëri dhe trojet shqiptare jashtë saj, trumbetonin idenë e
bashkimit të trojeve shqiptare në një të vetëm, në sajë të aleancës
Musolini-Hitler. Në anën tjetër, shqiptarët me lidhje shpirtërore me Francën
dhe Anglinë, e shihnin pushtimin italian si një të keqe të madhe për vendin.
Komunistët, të ndikuar edhe nga qëndrimi i Bashkimit Sovjetik, edhe pse ishin
antifashistë dëshmonin përmbajtje për të filluar aksione sabotuese apo
luftarake ndaj italianëve. Akti i parë i rëndësishëm kundër pushtuesve ishte
atentati i Vasi Laçit ndaj Viktor Emanuelit në maj 1941, dy vjet pas pushtimit.
Ishte veprimi i një njeriu të vetëm, që nuk i përkiste asnjë lloj grupimi.
(vijon)
No comments:
Post a Comment