Tuesday, 8 February 2022

Ku po shkon o partizan?


Një nga këngët më të bukura shqiptare është kënga e kënduar nga Vaçe Zela “Ku po shkon o partizan?”. Nuk jam i sigurt nëse kompozitor është Fehim Ibrahimi apo Kujtim Laro. Më shumë anoj nga i pari. Për tekstin jam i sigurt që është i një vjershëtori popullor nga Labëria, ndoshta me mbiemrin Aliko. Eshtë një tekst i thjeshtë, disi naiv, që nuk përputhet me lirizmin e melodisë së mrekullueshme të këngës, e cila mund të ishte një baladë e shkëlqyer dashurie. Vaçeja, si gjithnjë, ka qënë e papërsëritshme.

Po a ishte kompozuar pjesa e thjeshtë, disi melodramatike dhe më pas i ishte “qepur” vargu dymbëdhjetrrokësh i poezisë popullore? Me siguri, se thuajse nuk ka asnjë përputhje me dialogun naiv mes partizanit dhe katundarit dhe dëshpërimit që ndjehet në tingujt e këngës. Më çudit edhe fakti që kënga e kaloi çensurën e kohës, por ndoshta nga që u kompozua në fillimin e viteve ’70, kohë kur gjithshka ishte më liberale në letërsi dhe arte.

Dialogu fillon pasi katundari, banor i zonës sheh partizanin e vetmuar që duket se ka humbur rrugën. (Ishte e vështirë në atë kohë të rrëfeje për një partizan rrugëhumbur.)

Ç’far’ po shikon andej këtej o partizan?

Rrugën kërkoj dhe nuk po e gjej o katundar.

Dhe më pas teksti bëhet edhe më interesant se partizani hyn në një transaksion të vlefshëm për të dy palët, përsëri diëka jo e natyrshme për letërsinë zyrtare të kohës.

Eja me mua të ta rrëfej o partizan.

Do të të jap un’ ca fishekë o katundar.

Më jep një ballë e mbaji për vete o partizan

Se matan’ lumit ka gjermanë o partizan.

Por kjo nuk e tremb, në të kundërt e gëzon partizanin fillikat me pak fishekë, sepse ai është nisur pikërisht për të luftuar gjermanët. Ndoshta mund të jetë simbolizim i luftës së shqiptarëve të paarmatosur mirë dhe të pakët në numur që ishin nisur të luftonin një ushtri të fortë, ndoshta mund të jetë hiperbolizim apo edhe tjetër figurë letrare, por sido që është vargjet paraqesin pa asnjë mëdyshje dëshirën e partizanit:

Edhe unë ata po kërkoj o katundar!

Dhe këtu mbyllet me një varg të fuqishëm, por me akorde minore, kënga:

Eja të dy bashkë të shkojm’ o partizan!

Fshatari me përvojë nga jeta kupton se partizani është nisur në një mision pa krye dhe shkon dhe ai drejt vetvrasjes për të mos e lënë vetë?

Nuk ka ende botime serioze për numurin e saktë të dëshmorëve dhe të viktimave të Luftës së Dytë, si edhe të numurit të pushtuesve të vrarë. Por si thuhet pa dashje në vargjet e këngës, partizanët ishin nisur në një mision fisnik, por tërësisht të papërgatitur, duke ndjekur në mënyrë të verbër një bandë aventurierësh, të cilët synonin të vinin në pushtet dhe ta mbanin atë gjatë.

 

No comments:

Post a Comment