Friday, 11 February 2022

Politikanët tanë të dashuruar me veten


Sa më i vogël të jetë një vend aq më shumë politikanë të dashuruar me veten ka. Eshtë një ligj empirik, që nuk i nënshtrohet ndonjë formule të caktuar, por provohet lehtësisht me të dhëna statistikore. Në vetëm tridhjet vjet, Shqipëria ka prodhuar të paktën 6-7 të tillë. Nga Sali Berisha, që jo rrallë nuk përdor përemrin unë, por i drejtohet vetes si Sali Berisha, tek Fatos Nano që mburrej se “i kishte lënë pa mend europianët në takimin e tij të parë me ta” dhe kishte përshtatur shprehjen “unë jam Fatos Nano, prapa më vjen historia”. Ka vite që i ka shprehur dashurinë vetvetes Ilir Meta, prej kohëve kur ishte kryeministër e i pëlqente ta quanin “Mehmeti” dhe tashmë së fundi, kur në delir thërret “Jam Ilir Meta unë o budallenj!”

Narcisizmi i Edi Ramës ishte i njohur që pa i hyrë ai politikës, por prej 20 vjetësh vetadhurimi i tij nuk njeh më kufij. Rama promovon vetveten, pëlqen ta thërresin përkohësisht “Skënderbeu” dhe ndoshta më vonë Mesia, ka krijuar një kanal televiziv me emrin e tij, ju jep mend krerëve politikë në botë dhe as bën përpjekje për të fshehur sadopak delirin e tij të madhështisë. Në mënyrë të ngjashme u dashuruan me veten Saimir Tahiri, Erion Veliaj dhe ndonjë politikan tjetër province.

Vetëadhurimi nuk është një dukuri krejtësisht e dëmshme në fillimet e karrierës së një politikani. I shërben rritjes së besimit të ndjekësve dhe eliminimit të kundërshtarëve brenda subjektit politik, por më pas, kur qeveris, kthehet në shkatërrues për vendin që drejton dhe për vetë individin. Shembujt e Hitlerit dhe Musolinit janë më të spikaturit, por edhe karrierat politike të Berluskonit dhe Trump mund të shërbejnë si ilustrim për vetëshkatërrimin që sjell narcisizmi ekstrem i një qeveritari.

Ka një shpjegim pse veçanërisht në Shqipëri është “rritur” kaq shumë ky tip politikani. Thuajse të gjithë politikanët e sipërpërmendur janë formuar në Shqipërinë e izoluar të kohës së Diktaturës. Ata nuk janë ballafaquar në rininë e tyre me “botën e madhe”, ku njeriu kupton se cilat janë vlerat e tij të vërteta, si edhe rëndësinë që ka të qënit modest. Ndaj edhe pse në krye të një “qyteti” të vetëm, (nëse i krahasojmë me ata që qeverisin shtete të mëdha), udhëheqësit politikë shqiptarë ndjehen Çezarë. Mund të bëjnë ç’të duan pa ju hyrë një gjëmb në këmbë. Pra vuajnë nga një lloj kompleksi i udhëheqësit provincial. Pasurimi marramendës i tyre apo i familjarëve në një kohë të shkurtër, gjithashtu i bën të ndjehen të sigurt, të plotfuqishëm e të paprekshëm. Mund të sfidojnë jo vetëm shtetet fqinjë, por edhe Rusinë, Gjermaninë, madje edhe Shtetet e Bashkuara.

Koha tregoi se njërin prej tyre (Nanon) e nxorri shpejt jashtë politikës, Tahirin e shpuri pas hekurave dhe në procesin e daljes (me dhunë) nga politika janë edhe Berisha me Metën. Për çastin duket i plotfuqishëm Edvin Rama, por edhe vitet e tij “çezariane”ka të ngjarë mos shkojnë përtej këtij mandati. Historia këtë na ka mësuar.

No comments:

Post a Comment