Thursday, 24 February 2022

Edhe “mafiozët” bëjnë luftë


Një ditë e errët për të gjithë botën. Me këdo të flasësh, çdo bisedë sillet rreth Putin dhe popujve të gjorë rusë dhe ukrainas. Dikush mund të thotë që rusët e meritojnë të vriten se të tillë udhëheqës kanë votuar tash e më se 20 vjet, por asnjë ushtar i mobilizuar sipas ligjit të vendit të tij nuk duhet të kthehet në shtëpi “në katër drurë“. Më keq akoma për civilët e pafajshëm dhe për gratë e fëmijët ukrainas.

Ka disa arsye që Putin, edhe pse një mafioz i pasuruar, me pak interesa për të rrezikuar paqen që i jep mundësi të vjelë gjithnjë e më shumë nga pasuritë e Mëmës Rusi, të hidhte hapin shkatërrimtar të luftës.

·         Arsyeja kryesore është që Perëndimi nuk i bëri as minimumin e atyre lëshimeve që ai mund të pranonte, por që për Amerikën dhe Bashkimin Europian ishin shumë. Kjo detyrimisht shpie në arsyet e tjera, rrjedhojë e së parës.

·         Putin, si çdo shtetar autokrat do të dëshmojë se është në lojtarët kryesorë në politikën globale edhe pse është ku e ku më prapa ekonomikisht se Amerika, Kina, Bashkimi Europian, Anglia dhe Japonia. Me këtë motiv nxitës për rusët, e poshtëruar gjatë viteve të Jelcinit, Putin arriti të gëzonte popullaritet për një kohë të gjatë dhe të çimentonte veten në krye të shtetit. Çdo injorim nga lojtarët e tjerë ndërkombëtarë ngjall tek ai një reaksion, që e bën më të egër dhe njëkohësisht e shtyn edhe të ndërmarrë veprime që nuk janë në interesin e tij. Eshtë i ngjashëm me sjelljet e krerëve mafiozë, që parapëlqejnë të fitojnë tregje duke trembur të tjerët, pa bërë luftë, por kur shohin se kundërshtarët nuk lëshojnë pe, i hyjnë dhe një lufte që mund ta humbasin.

·         Arsyeja e tretë është psikologjia “maço” e shoqërive sllave që kanë qënë një kohë të gjatë në komunizëm. E sheh të demonstrohet edhe në veprimtari sportive, kur sjellja e sportistëve rusë është shpesh e egër dhe e paarsyeshme, që krijon bezdi në shikuesit perëndimorë. Putin do humbiste shumë pikë në opinionin vendas nëse pas gjithë atyre “lojrave luftarake” dhe përqëndrim të ushtrive në kufi, do tërhiqej pa përfituar asnjë lëshim thelbësor nga Perëndimi.

Për sa më sipër, krimineli i pasur Putin e hodhi hapin shkatërrimtar për Ukrainën dhe për Rusinë dhe ndoshta me pasoja për të gjithë Europën.

A duhet t’i kishte bërë lëshime Perëndimi që kjo mos ndodhte?

Eshtë e vështirë t’i japësh përgjigje kësaj pyetje, sepse jo vetëm që ndërthuren me dhjetra interesa të ndryshme, shpesh herë jo të pastra edhe nga ana e Amerikës dhe Fuqive kryesore Europiane, por se dhe plot institucione diplomatike dhe të marëdhënieve ndërkombëtare nuk kanë arritur t’ja japin. Ndonjëherë “mafiozëve” sa më shumë lëshime t’ju bësh, aq më shumë e shtojnë lojën e trysnisë dhe ndoshta “të mëdhenjtë“ kanë vendosur që “le ta nisë edhe luftën nëse ja mban!”

E keqja si gjithnjë godet të pafajshmit që humbin jetën, godet djelmoshat e rinj që vriten për këta “kryezarba”, që më pas i varrosin me nderime dhe i quajnë dhe heronj.

Popujve ju duhet paqe dhe asgjë tjetër!

No comments:

Post a Comment