(vijim)
·
Faza e
dytë, ajo e përpjekjeve për tu organizuar dhe për të nisur veprimet e para
luftarake.
Me fillimin e luftimeve në territorin e Bashkimit Sovjetik në
qershorin e vitit 1941 u pa më qartë se Hitleri bashkë me Italinë dhe Japoninë
synonin të pushtonin gjithë botën. Sulmi japonez në dhjetor 1941 në Përl Harbër
solli edhe futjen zyrtare të Amerikës në luftë. Tashmë ishte e qartë se duhet të
ishe me aleancën fashiste ose kundër saj dhe nuk kishte rrugë të ndërmjetme,
kjo sidomos për vendet e pushtuara.
Kominterni, që deri në gjysmën e vitit 1941 kishte predikuar
mospërzjerjen, pasi e quante Luftën “një përplasje të vendeve kapitaliste për
interesat e tyre”, ndryshoi qëndrim dhe dha udhëzime për ngritjen e Fronteve
Nacionale me përfshirjen në to të gjithë forcave antifashiste, por mundësisht të
udhëhequra nga partitë komuniste të vendeve përkatëse. Në këtë kuadër është
formimi i Partisë Komuniste Shqiptare dhe demonstratat e para të organizuara
nga komunistët në fundin e vitit 1941. Nisi një ndryshim në mendësinë e disa
shtresave të shoqërisë shqiptare, që kishin qënë totalisht pasive ndaj Luftës
Botërore edhe kur luftimet zhvilloheshin brenda territorit tonë. Gjatë gjithë
luftës italo greke (1940-41), shqiptarët kishin qëndruar në indiferencë të plotë,
thuajse nuk kishin të bënin me të. Asnjë veprim sabotues kundër ushtrisë
pushtuese italiane. Gjithashtu edhe batalionet e formuara me shqiptarë nga Italianët
për të luftuar kundër Greqisë nuk kishin dëshmuar as heroizëm dhe as
agresivitet ndaj fqinjëve që na kishin marrë Çamërinë.
Eshtë folur për formimin e çetave të para si nga nacionalistët
dhe nga komunistët në fillimet e vitit 1942, madje ka dhe autorë që përmendin çeta
luftëtarësh që në vitin 1939. E vërteta është se në Shqipëri ka pasur gjithnjë
në zonat malore të Veriut dhe Jugut banda kaçakësh dhe hajdutësh, që për shumë
arsye kishin zgjedhur jetën e arratisë në mal. Një pjesë kishin qënë të përndjekur
nga Zogu, kishte nga ata që jetonin në mal për tu mbrojtur nga hasmëritë,
kishte të dënuar për vrasje dhe vjedhje dhe që donin t’i shpëtonin dënimit, si
dhe edhe thjesht plaçkitës, që kishin ushtruar gjithnjë atë “zanat”. Natyrisht
që të tillë banditë përbënin elementët më të përgatitur për të ndërtuar një
luftë partizane ndaj të huajve, të cilët njëkohësisht ishin edhe administruesit
e vendit. Pikërisht këtyre elementëve ju afruan edhe komunistët edhe më vonë “Balli
Kombëtar” për të luftuar kundër pushtuesve. Kuptohet që u krijuan edhe çeta
krejt të reja nga të dy palët, si dhe nga monarkistët e Abaz Kupit, por këto i përkasin
një periudhe të mëvonshme.
Rezistenca shqiptare ndaj italianëve ishte ende sporadike
dhe nuk përbënte ndonjë problem të madh për Italianët, sa edhe organizimi më i madh
për të nisur përpjekje të armatosura, ai që quhet Konferenca e Pezës e
shtatorit 1942, u bë vetëm 10 km jashtë Tiranës. “Balli Kombëtar” si organizim
politik u formua edhe disa muaj më vonë. Me një fjalë ishte një reagim tepër i ngathët,
3 vjet pas pushtimit, i pabashkërenduar me “mbretin në mërgim”, pa ngjallur
interesin e aletaëve dhe nën sugjerimet e disa komunistëve jugosllavë, që ishin
të vetmit të huaj që jepnin këshilla se si të luftonin shqiptarët. I
paspjegueshëm është edhe pasiviteti i Zogut, që nuk ishte në gjendje të
ngjallte besim në britanikët për ndihmë financiare ndaj një rezistence
shqiptare edhe pse atë kohë jetonte më së miri në Londër me gjithë oborrin e
tij.
(vijon)
No comments:
Post a Comment