Thursday, 10 February 2022

Krunde nga torba e filozofit shëtitës


Në fushën e betejës politiko-shoqërore kanë zbritur kamionistët.

Kamionistët janë si drejtuesit e karvanëve të deveve që udhëtonin vendeve dhe shkretëtirave.

Shkretëtirë idesh duket përreth dhe të vetmet oaze çmendurie janë teoritë komplotiste.

Teoritë komplotiste janë zëvendësuesit e miteve të vjetra për ata që nuk lexojnë, që lexojnë pak dhe për ata që dinë gjithshka.

Ata që dinë gjithshka të mahnitin, por edhe mund të të bëjnë të shpjegosh keq dukuritë shoqërore.

Dukuritë shoqërore nuk mund të përcaktohen me formula matematikore.

Formulat matematikore janë të ftohta dhe të frikshme si e vërteta.

E vërteta nuk mund të përqafohet se me ftohtësinë e saj të akullon.

Akullimi i poleve është mrekullia e drejtpeshimit klimatik.

Drejtpeshimin klimatik po e shkatërrojmë dita ditës me grykësinë tonë.

Grykësia jonë na veçon nga të gjitha kafshët që bashkëjetojnë me ne në botë.

Në botë jetojnë mbi shtatë milliard njerëz, por nuk dihet sa prej tyre vdesin të vetmuar.

E vetmuar vdiq në Kuomo, Marinela Bereta, që u gjet pas dy vjetësh e ulur në karrige.

Ulur në karrige duan të vdesin politikanët, por jo në karriget e kuzhinës por në ato të pushtetit.

Pushteti është famë, para, lavdi, largim nga frika e vdekjes dhe më i fuqishëm se kënaqësia e seksit.

Kënaqësia e seksit është në rrënjët e mbijetesës së racës njerëzore.

Raca njerëzore është bukuria, madhështia dhe tragjedia e planetit Tokë.

Këtë e dinë dhe kamionistët…

No comments:

Post a Comment