Sunday, 20 February 2022

Ku nis dhe ku mbaron?


Pse e kemi kaq të vështirë konceptin e rrethit dhe të qarkullimit të pafund të ngjarjeve jetësore? Mundohemi të gjejmë pikënisjen dhe duke përcaktuar edhe trajektoren të gjejmë mbërritjen. Nuk ka se si të jetë e tillë, sepse atje ku përfundon veprimtaria e një krimineli të shfaqet papritur veprimi i një prokurori apo gjykatësi të korruptuar; sa shfaqet tradhëtia e një bashkëshorti të kamur arrin të kuptosh se ka diçka më shumë edhe tek gruaja dhe shokët e tij; sa griset maska e një gazetari investigativ të krimit dalin copëza maskash të tjera të atyre që e kanë përdorur e kështu pa fund pa fund dhe në të vazhdueshme cikle.

A fillon vallë ashtu si shkruante dikur koloneli Torrens- “Mallkuar qoftë ai që rrethoi në fillim një copë tokë dhe tha është imja!”?

Nuk ka se si të ketë filluar as në atë çast imagjinar dhe s’ka për të përfunduar as kur të mos ketë vija ndarëse dhe kufij. (Edhe qentë dhe kafshë të tjera përmjerin në territore që duan t’i përcaktojnë si territore të tyre.)

Ne mbetemi kanibalë. Edhe pse nuk ja hamë muskujt dhe rropullitë njëri tjetrit në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, ne godasim në fillim më të dobëtit, bonjakët, gratë, jabanxhinjtë dhe më pas ju kthehemi atyre që na dalin para rrugës sonë për të grumbulluar më shumë “sende”, për të pasur më shumë trofe dhe për të bërë më shumë seks. Kështu veprojnë ende sot kanibalët e mbetur në ndonjë xhep shumë të izoluar të globit.  Nuk ka asgjë të natyrshme në këtë sjellje veç dëshirës për të lënë më shumë pasardhës. Madje në të ashtuquajturin Qytetërimin tonë dhe kjo është e modifikuar vetëm në seks për kënaqësi.

Ka fanatikë që i gjejnë të gjitha të këqijat e kësaj bote tek feja, ashtu si ka edhe fanatikë të tjerë që predikojnë se vetëm tek feja është shpëtimi. Por të dy palët nuk harrojnë të vrapojnë pas sendeve, trofeve dhe seksit. Gjatë rrugës padashje qëllon që hanë edhe indet e kundërshtarëve në këtë kanibalizëm teknologjik.

Dëshpërimisht “nuk ka asgjë të re nën diell”. Eshtë kjo ripërsëritje që të tremb më shumë se çdo gjë tjetër ndërsa rrekesh të gjesh kuptimin, të përpiqesh të ndryshosh dhe të ngjallësh shpresën se edhe të keqes do i vijë fundi një ditë.

 

 

 

No comments:

Post a Comment