Monday, 7 February 2022

Ende na magjepsin mbretërorët?


Në një shkrim të disa ditëve më parë shprehja opinionin tim rreth ngritjes së shtatores së mbretëreshës Geraldinë në Tiranë. Mendoj se jo të gjithë duhet të bashkohen me opinionin tim, sepse po të ishte kështu nuk do ishte ngritur përmendorja dhe as do i ishte vënë emri maternitetit "Mbretëresha Geraldinë". Për arsye të cilat nuk jam në gjendje t'i kuptoj mirë, shumë lexues të shënimit tim, komentojnë se "mbretëreshave kudo në botë ju ngrihen përmendore", "Geraldina përfaqëson një periudhë të artë të historisë së Shqipërisë" ose "shtatoret e grave shqiptare me famë le të ngrihen më vonë" etj. Të duket se jo pak shqiptarë janë ende të mrekulluar me periudhën 10-vjeçare të mbretërimit të Zogut. A ndodh kjo se na bën të ndjehemi më europianë dhe t'i biem gjoksit se dhe ne kemi mbretërorët tanë?

Le të shkojmë më tej në histori dhe të shohim nëse shqiptarët, arbërit apo edhe ilirët kanë patur monarkë në kuptimin e plotë europian të kësaj fjale. Në antikitet përmenden vetëm mbreti Gent dhe mbretëresha Teuta dhe deri në periudhën e Skënderbeut nuk ka më mbret. Edhe Gjergj Kastrioti vetëm në disa botime letrare të Rilindjes Kombëtare cilësohet si Mbret i Shqiptarëve, se nuk ka qënë më shumë se kreu i një aleance feudalësh shqiptarë dhe një feudali sllav.

Monarkinë shqiptare vërtet nuk e shpiku Ahmet Zogu, por ajo ishte një formë e organizimit të shtetit që Fuqitë e Mëdha ju propozuan të gjitha vendeve ballkanike, që filluan të shkëputeshin nga Turqia. Kjo për shkak të prapambetjes së shoqërive të këtyre vendeve dhe mungesës së përvojës së shtetformimit, si edhe pranisë shumë të pakët të republikave në Europë. Greqia ishte vendi i parë. Atje edhe pse kishte një traditë monarkie bizantine, mbret i saj u vendos një fisnik gjerman. E njëjta gjë u aplikua në Shqipëri me Princ Vidin dhe më vonë, duke mos patur një marëveshje të krerëve shqiptarë u vazhdua për shumë vite me regjencë.

Monarkia e Zogut ështënjë lloj uzurpimi i shtetit, që pati një kohë të shkurtër formën e republikës, nga një politikan i fuqishëm që vërtet kishte bërë shumë për Shqipërinë, por në karrierën e tij kishte edhe krime dhe sidomos përjashtimin nga procesi i drejtimit politik të shoqërisë, i pjesës më të madhe të elitës shqiptare. Më tepër se një monarki europiane, monarkia e Zogut ishte një gjysëm Diktaturë. Ishte kjo formë e shtetit që e la vendin pa forca politike dhe solli si rrjedhojë organizimin e Partisë Komuniste si forca e parë politike në Shqipëri në kohën e Luftës së Dytë.

Ndaj duke ju shmangur retorikës të pasluftës të komunistëve të "regjimit satrap të Zogut", "shtetit të prapambetur", "regjimit anadollak", duhet të pranojmë se monarkia zogiste ishte shumë larg monarkive parlamentare europiane të kohës. Vetëm me dëmtimin e "stofit politik" të shoqërisë shqiptare të viteve '20, Ahmet Zogu merr notë pakaluese si shtetformues. Nëse nuk do kishim Mbretin Zog nuk do të kishim patur Enver Hoxhën. Dhe një akuzë e tillë është e rëndë për dikë. të cilit i ngrihet shtatore në Tiranë dhe duke mos u mjaftuar me përmendoren e tij, i ngrihet tashmë edhe një bashkëshortes Geraldinë. Me këtë ritëm mund të priten edhe të tjera shtatore të princeshave Sanije, Myzejen etj, apo të Lekës së Parë, Lekës së Dytë e me rradhë. Me dëshirën e sharlatanëve dhe të një pjese të shoqërisë për të pasur edhe ne shtatore monarkësh, si vendet e Europës së Veriut.

Por ka një ndryshim të madh me shtatoret e ngritura në Europë. Ato jo vetëm janë ngritur në periudha  para Luftës së Dytë Botërore, por ju janë dedikuar monarkëve me kontribut të madh shtetformues. Për më tepër nuk ka asnjë përmendore kushtuar grave të mbretërve edhe pse janë quajtur mbretëresha dhe kanë qëndruar për një kohë të gjatë në fron. Ndryshon puna kur ato kanë qënë në krye të shtetit si mbretëresha Viktoria apo ajo Elisabet. Roli i tyre ne drejtimin e vendit ka qënë i jashtëzakonshëm nëse e krahasojmë me çdo udhëheqës shteti.

Duke u kthyer tek Geraldina e Hungarisë, të cilën e kemi bërë tonën, kontributi i saj në shoqërinë shqiptare është thuajse Nul. Jo sepse nuk kishte aftësi të bëhej një personalitet i rëndësishëm, por se rrethanat nuk e lejuan të jetonte në Shqipëri dhe në fron.

Përse duhet ta përjetësojmë me shtatore? Se ishte e bukur? Se ishte e pafat? Se jetoi në emigracion, kur donte të jetonte në pallat?

Mendësia për të kërkuar monarkë atje ku s'ka pasur tregon për prapambetjen dhe cektësinë e shoqërisë shqiptare. Ne mund të dënojmë vendimin që nuk lejoi familjen e Zogut të kthehej në Shqipëri, mund të themi se pati përpjekje për të krijuar familje fisnikësh nga Hiçi, mund të themi se barazitizmi në varfëri që bënë komunistët e dëmtoi shoqërinë shqiptare, por kaq është mjaft për të mbyllur diskutimin tonë për "gjakmbretërorët" që vetëm kanë ekzistuar në mendjet e disa grupeve të privilegjuarish në Shqipëri.

No comments:

Post a Comment