Wednesday, 23 February 2022

Të gjithë e dinë, askush nuk e thotë


Djegësit e plehrave i dinin të gjithë se çdo digjnin. Paratë e buxhetit. E dinte kryeministri Rama që në vitin e largët 2015 ose 2016, krahu i djathtë i tij i asaj kohe dhe i sotëm, Engjëll Agaçi, zv.kryeministri i asaj kohe Niko Peleshi, zv. kryeministri i sotëm Ahmetaj, ministri i atëhershëm i mjedisit Lefter Koka, çifti Meta-Kryemadhi si krerët e LSI-së bashkëqeverisëse me PS-në dhe që e kishin vënë Kokën ministër, si dhe njeriu që di çdo gjë që ndodh në Shqipëri, Sali Berisha. Sigurisht që prej tyre e kishin mësuar edhe shumë të tjerë nga Bashat, Veliajt, Bllakot, Subashët e me rradhë.

Jo të gjithë të sipërpërmendurit kanë përfituar nga paratë e inceneratorëve. Një pjesë firmosin dhe mbyllin sytë, sepse u lejohen vjedhje të tjera në të tjerë sektorë. Peleshi edhe pse zv.kryeministër ishte tepër xhunior për tu bërë pjesëtar i grupit që do vilte vreshtën e “djegësve të plehrave”.

Berisha ka heshtur në legjislaturën që shkoi për të mos keqësuar punët me Metën dhe Kryemadhit që ishin pjesë e tavës së incineratorët. Këta të fundit bënë denoncimin vjet, pasi Koka ju “la pendët” dhe shkoi tek Partia Socialiste. I shkreti Teri e kishte dhënë kontributin bajagi të madh (50% të shumës së përfituar) tek çifti presidencial me kohë, por as ai nuk mund të flasë tek SPAK për to, se rëndon veten dhe nuk ka se si të provojë paratë kesh të shpëna në Gjirin e Lalëzit. Meta-Kokëmadhi ndërsejnë një tjetër hajdute të ekipit të Ramës, Shehajn (tani në ekipin e tyre) për t’i treguar popullit “të vërtetën” për inceneratorët.

Ahmetaj, ndoshta personi kyç i kësaj çështje, nuk është i interesuar të flasë sepse do implikojë veten dhe mund të shkojë menjëherë pas hekurave. Nëse Rama do përsëritë këto ditë se është “krenar” për punën e Ahmetajt, ka të ngjarë që zëvendësi të bëjë ndonjë dorëheqje, me garancinë që ju dha Tahirit, “po mos më shite, unë do të mbroj që të marrësh një dënim minimal”.

Rama i dërgoi sinjale edhe Kokës dje “mbaju dhe mos rrëfe shokët” duke deklaruar se “ishte krenar për punët e bëra me të.”

Si është e mundur që gjithë kjo vjedhje nuk u trumbetua nga opozita me të madhe para zgjedhjeve?

BIRN kishte disa muaj që botonte fakte të hollësishme rreth vjedhjes në fjalë.

Këtë e dinë të gjithë ata që me saktësi njohin jo vetëm skemën, por edhe sa para shkuan në xhepa të caktuara.

Eshtë një heshtje mes hajdutësh dhe “hajdutësh potencialë“, që del “në mexhelis” vetëm kur hajnat fillojnë dhe zihen për pjesët.

Ndërsa ne që paguajmë taksat e plehrave, taksat për plehrat dhe që jemi të ndërgjegjshëm se do përfundojnë në xhepat e plehrave, rrimë e vështrojmë këtë lojë paturpësisht të ndyrë që luhet prej tash e 30 vjet. 

No comments:

Post a Comment