Monday, 21 February 2022

“Osmangazepët” shqiptarë


Osman Gazepi nga Leskoviku ka qënë një ushtarak besnik i Ahmet Zogut, i dëgjuar për shumë “qyfyre” të kohës së mbretërisë, që përsëriteshin shpesh edhe në kohën e Diktaturës. Më e njohura ishte ajo e vetëgradimit dhe e shtimit të “nishaneve” në gjoks, pa pritur t’i rritej grada ushtarake nga Naltmadhënia, që e donte Osmanin për besnikërinë dhe për batutat e tij. Kështu në vitet e pasluftës së dytë, përsëritej shpesh shprehja “U bëre si Osman Gazepi”, për ata që parapëlqenin të vetëngriheshin në detyrë ose të paraqiteshin me merita, të cilat nuk besonte njeri se i meritonin.

Por nëse ushtaraku i paarsimuar Osman nga Leskoviku, kishte dëshirë të dukej një oficer madhor, duke u kujdesur për uniformën e tij dhe për paraqitjen sa më pompoze, ata që e burgosën pas luftës dhe që më vonë talleshin me të, demonstruan të njëjtin kompleks nga Kongresi i Përmetit dhe më vonë. U vetëgraduan!

Mësuesi Enver Hoxha, që nuk kishte dhënë dot provime universiteti mori gradën gjeneral kolonel për merita të ve]anta në udhëheqjen e luftës dhe për të njëjtat arsye u bën[ gjeneral leitnant teneqexhiu Ko]i Xoxe dhe gjeneral major, togeri Spiro Moisiu. Lista vazhdonte me gjeneralë dhe kolonelë të tjerë, që kishin mbaruar shkolla fillore dhe që kishin më shumë dështime se fitore në luftë.

“Mrekullimi” i jonë me gjeneralët e vetëshpallur, vazhdon edhe në ditët e sotme, kur shpesh herë në shtyp ju thurren laved “gjeneralëve” të goditur nga Enver Hoxha si Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Petrit Dume e të tjerë, edhe pse dihet që shkollimet e tyre arrinin vetëm në disa kurse ushtarake në Bashkimin Sovjetik dhe meritat ushtarake apo ato të luftimeve, mbeteshin në kuadrin e “lojërave ushtarake”, ku jo rrallë vriteshin aksidentalisht ushtarë ose rezervistë.

Por ndoshta kompleksi “osmangazep” do kishte mbetur në histori, nëse nuk do shfaqej në një formë tjetër tek Edi Rama dhe politikanë të tjerë shqiptarë. Kryeministri ynë ka dëshirë të “vetëgradohet” si artist i shquar dhe politikan i rangut ndërkombëtar. Veshja e mureve të zyrës së Kryeministrisë me “skicat e tij të rëndomta”, nuk ka asnjë ndryshim nga vënia e disa spaletave më të larta për vete nga Osman Gazepi. Me të njëjtin vetëvlerësim hokatar, Rama i dhuroi Presidentit Erdogan një vazo qeramike të punuar prej tij duke i thënë “Jam artist serioz unë!”.

Ndaj edhe Spiropali përmend atë që ai nuk e thotë dot vetë: “Jam një gjeneralisimo si Skënderbeu!”

No comments:

Post a Comment