Në foton e mësipërme janë nxënësit e maturës A të shkollës Themistokli Gërmenji në oborrin e shtëpisë të një shoku të klasës, që festonte ditlindjen. Quhet Koço Bellovoda. Ka shumë foto të asaj kohe, por arsyeja që po i kushtoj këtë shënim të shkurtër është mendësia e 18 vjeçarëve të asaj kohe. Mendësia e brezit tim të rritur nën Diktaturë, në një vit, kur në gjithë Europën “lulëzonte” parrulla “sex, drugs and rock’n’roll”. Në foto duket një grup të rinjsh të larë e të krehur, përgjithësisht të veshur me bluza të thurrura nga duart e nënave tona. Ishte viti 1977 dhe ndonëse kudo të rinjtë mbanin flokë të gjata, ne mund t’i lejonim vetes vetëm favoritat e zgjatura pak më shumë se mesi i veshit. Dëshëronim shumë t’i linim flokët deri në supe, si “heronjtë“ tanë të muzikës Beatles, ABBA, Presley, apo si basketbollistët jugosllavë Shollman, Kiçanoviç dhe Pleçash, apo edhe si Krojfi dhe Neskensi, por nuk na lejonte njeri.
Dëshira të ngjashme kishin edhe vajzat, ndonëse nuk hapeshim
shumë midis sekseve për dëshirat që na vlonin. Duket edhe në foto, që ato janë
të kapura me njëra tjetrën në njërën anë dhe ne me duart në qafë të shoshoqit në
anën tjetër. Përjashtim bën vetëm Jorgeja, sportistja e vetme e kategorisë së parë
nga vajzat e klasës sonë. Jorge Mihallari ishte një atlete dhe vajzë shumë e
mirë. Zaten shumë të mira ishin të gjitha shoqet tona. Të mira dhe të
kujdeshme, me shumë ëndrra dhe dëshira të ndrydhura. Nuk kujtoj kur i shoh në
foto të kishte ndonjë lidhje dashurie mes nesh, si ka qënë dhe është gjëja më e
natyrshme në moshën 18 vjeçare.
Ne na i patën vjedhur
rininë.
Ndonëse në sytë tanë nuk ka as trishtim dhe as revoltë,
sepse i gëzonim ditët më të bukura të jetës duke bërë thuajse asgjë. Shtynim me
bezdi orët e mësimit, ktheheshim në shtëpi dhe pëlcisnim çantat dhe pasi hanim
drekë dilnim të takonim shokët e të flisnim për futbollin dhe vajzat. Argëtimet
e vetme ishin një orë në salla e ping-pongut e Idrizit, nëse mund të gjenim
tavolinë të lirë, se atje mblidheshin gjithë djemtë e qytetit. Dhe xhirro.
Xhirro pambarim nga Valbona në Turizmi dhe nga Turizmi në Valbona, ndërsa ata më
të hedhurit nga ne takoheshin në ndonjë “qoshkë“ me të dashurat, që të mos i shihte
njeri. Në mbrëmje vonë bënim ndonjë detyrë të shkollës dhe shihnim filma nga
jugosllavi. Pastaj mezi na zinte gjumi duke menduar për vajzat që deshim dhe
nuk ju theshim dot, se druheshim. Inatet e drojtjes I nxirrnim në shkollë duke
u grindur me mësuesit ose me drejtorin, ose kur luanim futboll duke shqelmuar
njëri tjetrin. Por nuk kujtoj të ziheshim me grushta. Kështu rrokulliseshin ditët
njëra pas tjetrës. Por nuk e dinim që na i kishin vjedhur rininë edhe pse në
subkoshiencë e dinim që diçka ishte shumë anormale.
Një pjesë të atyre që janë në foto i di se ku janë. Disa jo.
Por jam i gëzuar se nuk kam dëgjuar të jetë larguar asnjë nga jeta.
Dhe jeta është kaq e bukur. Me kënaqësi do i isha kthyer
edhe asaj rinie të vjedhur të 45 viteve më parë nëse do ishte e mundur. Pa i ndryshuar
gjë. Jo sepse ishte e bukur. Por sepse ishim të rinj. Të rinj, të gënjyer dhe
aq shumë të dashuruar.
No comments:
Post a Comment