Tuesday, 8 February 2022

Buzëqershia (Bocca di rosa - Fabrizio De Andre)

E thërrisnin Buzëqershia

Mbi dashurinë, mbi dashurinë

E thërrisnin Buzëqershia

S’vinte më lart se dashuria.

 

Posa zbriti nga ekspresi

Në Sant’ Ilario, i njohur katund

Që nuk ishte një misionare

Kjo dukej sheshit, pa shumë mund

 

Kush dashurin’ e bën nga zori

Një tjetër e zgjedh si profesion

Buzëqershia si askush tjetër

E bënte se e kishte pasion.

 

I shkreti pasion shpesh të shpie

Të bësh dashuri pa u menduar

Pa ditur nëse bashkëfajtori

Eshtë beqar a i martuar.

 

Kështu ndërsa ditët shkonin varg

Buzëqershia ndaj vetes kthyer

Tërbimin fatal të qenushkave

Që kockën ju kanë rrëmbyer.

 

Dihet që bashkëshortet fshatare

Nuk shquhen nisma për të marrë,

Deri diku e kishin të mjaftë

Të mërmërisnin duke sharë.

 

Por ka dhe njerëz me plot këshilla

Që ndjehen si Krishti në tempull

Por ka dhe njerëz me plot këshilla

Nuk të lenë të jesh i keq shembull.

 

Kështu një plakë e pamartuar

Pa fëmijë, kurrë dashuruar

Mori mundimin, me plot dëshirë

Kujtdo t’i japë këshillë të mirë.

 

Kështu u tha në sy brinjareve

Duke zgjedhur saktë mes fjalëve:

“T’ju marrin burrat nuk jini suta

Cilësohet krim nga Kushtetuta!”

 

U nisën të gjitha n’komisariat

Dhe  ja plasën atje pa zor:

“Ajo bushtra ka më shumë klientë

Se sa një dyqan ushqimor.”

 

Ndaj u nisën katër xhandarë

Në kokë xhufkë, xhufkë në kokë,

Kështu arritën katër xhandarë,

Me xhufkë n’kokë dhe me armë.

 

Shpesh policët dhe karabinierët

Nuk bëjnë detyrën në terren,

Po jo kur kanë veshjen e ceremonive

Ndaj e përcollën shpejt me tren.

 

Në stacion ishin mbledhur të gjithë

Nga komisari der’ në kishtari,

Në stacion që të gjithë ishin,

Me sytë e skuqur prej të qari.

 

Të përcillnin kë për pak kohë

Pa u shtirur, pa qënë pa mëkat,

Të përcillnin kë për pak kohë

Shumë dashuri solli në fshat.

 

Mbanin dhe një parullë të verdhë

Me gërma të theksuara në të zi:

“Vetëm me ty vjen pranvera

Rrugë të mbarë Buzëqershi!”

 

Por një ngjarje kaq origjinale

Nuk ka nevojë për të tv-s kanale

Si një shigjetë çan përmes resh,

Gojë më gojë, e vesh më vesh,

 

Kështu që në stacionin mbrritës

Mbledhur më shumë se në të nisjes,

Dikush me lule, kush puthje në erë,

Kush zënë rradhë vetëm për njëherë,

 

Madje dhe famulltari nuk e përbuz

Mes mëshirës dhe të pagëzimit rit

Të përhershmen bukuri që ka në buz’

Në procesionin e ardhshëm e do ngjit’.

 

Dhe me Shën Mërinë në krye,

Buzëqershinë jo larg të shtyrë

Tej e përtej do i bien fshatit

Dashuri’ e shenjtë dhe e ndyrë.

 

 

 

 

No comments:

Post a Comment