Friday, 25 February 2022

Kulti i “burrecit” Putin


Burreci Putin, ky djalë i vetëm, i rritur me ambicien për tu bërë spiun, për të mposhtur komplekset e vetmisë dhe të fizikut të dobët arriti nëpërmjet rrethanave në një vend të çoroditur si Rusia e Jelcinit të fitonte statusin e “Carit”. Nuk ka ngjashmëri të mëdha mes tij dhe diktatorëve të mëdhenj të shekullit të XX-të për sa i përket fëmijërisë, rinisë dhe formimit. Stalini, Hitleri, Mao dhe Musolini janë rritur në kushte të ndryshme familjare dhe kanë pasur karriera të ndryshme nga Valdimiri i vogël i Peterburgut.

Gabimet e shumta të Perëndimit ndaj autokratit Putin, lëshimet e mëdha ndaj pasurimit të tij vetiak të llahtarshëm, bënë që të rritej në mënyrë të paimagjinueshme kulti i tij në Rusi. Rusët e konsideruan si njeriu që po i ringrinte prestigjin Rusisë, deri disa vite më parë e lënë jo vetëm në varfëri, por edhe e injoruar në skenën ndërkombëtare. Putin u lejua të kontrollonte burimet kryesore natyrore të Rusisë dhe të niste forcimin e ushtrisë. Në të njëjtën kohë, marrëzisht, Bushi i vogël jo vetëm që e pat futur Amerikën në një luftë absurde, si ajo e Irakut, por e konsideronte Putin si një partner të besueshëm. Putin fitoi kohë për të konsoliduar pushtetin e tij, për të shtuar pasuritë personale të tij dhe të bandës që ka pas dhe për të rritur kultin, sa në Rusi dukej se nuk mund të bëhej pa udhëheqjen e tij.

Masat kundër kultit të Putin ishin të dobëta edhe në kohën e Obamës edhe pse presidenti amerikan nuk e quante më të besueshëm dhe fillloi rritjen e sanksioneve. Por reagimi i dobët ndaj aneksimit të Krimesë dhe më pas “ligavitjet” e Trump me Putin, e bënë këtë të fundit të bindur se jo vetëm ishte lojtar shumë i rëndësishëm, por mund të luante lehtë me perëndimorët e përçarë. Brenda vendit, gjithnjë e më tepër shfaqej në sallat stërmëdha të Kremlinit i vetëm dhe i adhuruar nga oborri i tij, ose në një podium larg të tjerëve. Perëndimi pati dështuar plotësisht të mbështeste rivalin e tij politik të asaj kohe, shahistin e famshëm Gari Kasparov.

Edhe pse jo i çmendur apo aq më pak idealist, Putin i rrethuar nga servilët, duke pasur pushtet të pakufizuar brenda vendit, nisi ta humbë ndjenjën e realitetit, që kishte patur të zhvilluar në vitet e KGB-së, apo në fillimet e karrierës së tij. Kjo i ndodh edhe njerëzve më inteligjentë dhe me këmbë në tokë. Eshtë në natyrën e njeriut. Duke arritur sipas mendjes së tij “fitorie pas fitoriesh”(një shprehje e diktatorit tonë të vogël Hoxha), së fundmi Putin u ndje i plotfuqishëm dhe mendoi se mund të fitonte shumë në një botë të rraskapitur nga pandemia, në një vit të zgjedhjeve ndërmjetëse amerikane dhe ndaj një udhëheqësi të plakur si Xhoja I Përgjumur.

Putin do thyejë hundët e tij brenda këtij viti!

E keqja është se kjo do ndodhë pas shumë jetësh të humbura të ukrainasve dhe rusëve të pafajshëm.

No comments:

Post a Comment